Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Elmije AJAZI

Bujashka e Zemrës
————————
Në trungun e heshtur të shpirtit tim,
ku dimrat kanë lënë gjurmë të ftohta,
ti vjen si shtresë e butë drite,
si lëvorja që mbron thelbin nga tharja.
Je mbështjellja ime e padukshme,
që s’lejon erërat e hidhura
të çajnë në palcë.
Kur plagët hapen si çarje në dru,
i mbulon me durim,
me ngrohtësi,
me frymën tënde të qetë.
Nëse unë jam pemë e lodhur,
ti je arsyeja pse ende gjelbëroj,
pse lëngu i jetës
rrjedh pa u tharë.
Bujashka nuk ankohet ,
por mban brenda forcën
që zemra të mos bëhet dru i thatë.
Dhe në heshtje
të quaj
mbrojtja ime më e ëmbël.
/QendraPress/