Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Eva KACANJA
Dhimbja e dritës…
———————————-
Për të fshehur dhimbjet tona,
Përdorim fashot e lumturisë së hershme,
Ia fshehim vetes
turpin e purpurt,
Që më shumë se lëkurën,
zemrën djeg,
zgavrën e kraharorit përcëllon,
aty ku luhen simfonitë e gjithëhershme,
Të dhimbjes e gëzimit,
Triumfit dhe dështimit…
Pasqyrë,
Sa gjëra fsheh Ti!
Ti mashtrim e përdëllim i së vërtetës së fikur,
Në hidhësinë tënde të rrafshtë,
Ku dhimbja e dritës përthyen qenësinë e paqetë,
Ti zgërdhihesh, demoniake dhe e paskrupullt.
E neve na mbetet,
veç të prekim fytyrën,
Atë të fashuarën,
Aty ku dhimbja,
si ferr i pamëshirshëm,
Përvëlon!
E lumturia,
Tutore besnike e saj,
përpiqet ta mëkojë…
E unë bindem më fort,
Se kush në jetë të deshi,
Në jetë do të
t’ harrojë…!
/www.qendrapress.com/