Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Hyrë H.FAZLIJA

Më mbaj…

————————–

Ja dora ime mbi flokun tënd, peshon,

drithet,

gishtërinjtë përbinë…

Më mbaj…

Ja sytë e mi mbi ballin tënd,

peshojnë,

rrahin qepallat,

shohin,

nxjerrin shi vjeshte,

lagin lotët tu,

pijnë gotën e dashurisë ngjyrë dashurie…

Më mbaj…

Ja shpirti im…

peshon,

rëndon,

qiellon,

t’përndjek hije,

valon,

gëzon…

Më mbaj…

Ja zemra ime…

pesho mbi zemrën tënde,

pulson me pulsin tënd,

rrahë mbi tënden zemër:

Tik- tik.

Ekzistoj përzier në kazan malli,

pëshpëris vargjet e palexuara.

Më mbaj…

Peshoj bjeshkë pa ty,

peshoj errësirë pa ty

peshoj lot pa ty…

I ke parë sytë e mi?

Sa shi është derdhur në vjeshtën e vonë:

ndonjëherë bëhen stuhi…

e në stuhi bien tokas qepallat…

I ke parê sytë e mi?

Ata kryqëzohen në horizontin blu,

dhe vriten heshtjes ku fryma e fundit bëhet vesë…,

I ke parë sytë e mi?

Si zhveshen si lëvozhgë molle,

si stivohen duart nën buzë

dhe hahen mes dhëmbësh..

I ke parë sytë e mi?

Bien mbi sy nate, gërvishin mallin…

Përpijnë etjen…

Sytë e mi.

Nëse i ke parë, të kanë parë vallë?

Shtrihen zhurmshëm mbi ballë… /www.qendrapress.com