Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Laureta PETOSHATI

Flija

————————

Një arë me brazda gjoksi yt

ku shtrihem si lulëkuqet mes grurit,

era dallgëzon kallinjtë e pëshpërit

mes rrëzëllitjes dhe purpurit.

Lulëkuqja dhe gruri vallëzojnë,

në dihatje ca fjalë diellzojnë:

Frikërat e pathëna,

darkat e pangrëna,

puthjet e padhëna.

Koha e gabuar,

rruga e pavazhduar,

loti i shpenguar.

Ndjenja endacake

që bën ecejake,

rilind në fjolla flake,

vendos përballë murit

valën e purpurit.

Pastaj,

gruri i rëndë, lulëkuqja derdhur,

buka dhe vera, që të dyja,

jeta ushqehet nga dhimbja e heshtur,

krejt fusha është flija.

Gruri bëhet bukë e buka jetë,

lulëkuqet fishekzjarre ku heshtja ndriçohet,

flija është shpirti i dhuruar vetë,

dashuria që pjesëtohet, realisht shumëzohet.

©Vlorë më 20 mars 2026

/QendraPress/