Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Manushaqe ISMAILAJ

GJURMÉ E PALEXUAR              

—————————-

Ato u tretën

si avull në damarët e heshtjes,

pa lënë hije,

pa u kthyer as në jehonë.

Unë mbeta

si një gozhdë e harruar në një kornizë bosh,

ku dikur varej një kujtim

që askush s’e kërkon më.

Supet mbajnë ende

skeletin e një strehe të rrëzuar,

ku shiu i dikurshëm

numëronte rrahjet e mungesës.

As rrugë, as kthim

veç një grimcë që nuk tretet,

që më mban drejt

kur erërat matin kufijtë e botës.

Një plagë e mbyllur pa shërim,

një akull i ngulur në frymë,

një dimër që s’ka nevojë për borë.

Nën një premtim të venitur,

nën një peshë që nuk ka emër,

mbaj dëshminë time të vetme:

një njollë e errët në dritë,

që nuk zhduket

as kur dita e lan veten.

Dhe kur gjithçka të shpërndahet në ajër,

do të mbetet kjo shenjë e heshtur

dikush do ta shohë,

dhe do ta quajë thjesht dritë.

/QendraPress/