Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Taena MATA 

Kur filloi

————————–

Sa herë të shihja ty

hutohesha…

Nuk dija nëse

mbi këmbët e mia

në tokë qëndroja

a qiejve fluturoja.

Edhe kur ndodheshe

njëqind metra larg,

diçka magjike ndodhte.

Të shihja fare pranë.

S’e kam kuptuar sa çudi

dhe kurrë s’do ta marr vesh,

sa qartë i shihja sytë e tu,

tek luanin me të mitë

edhe në largësi…

Ende nuk e di, nëse

ishte kjo aftësi e tyre,

apo imazh i mendjes time,

trullosur nga dashuria.

Befas edhe në distancë

ata nguleshin shigjeta

në zemrën time të robëruar,

që me zjarr të dëshironte…

Unë për vendi ngrija.

Në atë moment,

ty,

brenda një koni drite,

shihja,

Largësia midis nesh

lartësia e tij,

Ai shtrirë në shesh

Kulmi, në sytë e mi

dhe baza e tij rrumbullake,

rrethonte të gjithin ty.

Jashtë kësaj hapësire drite,

errësirë…

asgjë s’pipëtine.

Asgjë përreth nuk ekzistonte,

edhe pse dielli ndrinte.

Brenda saj…unë e ti…

Midis nesh

një lidhje magjike,

tunduese,

të luaje vendit vështirë,

muskuj, nerva, ligamente

ngrirë.

Vetëm zemra gjëmonte,

si deti i tërbuar,

e shpërndante gjakun e ndezur,

që digjej zjarr,

vrullshëm,

nëpër labirinthet

e enëve të tij të padukshme,

e vërshonte lart e më lart,

deri sa përskuqte fytyrën.

Pastaj, ngadalë ti afroheshe.

Zvogëlohej lartësia e konit.

Zvogëlohej edhe volumi i dritës

brenda tij.

E kur ti ishe fare pranë,

unë largohesha

pa t’i hequr sytë

e lexoja në ta lutjen:

hej.. të lutem mos ik…!

E dëgjoja belbëzimin:

-Mos, mos mi hiq sytë…!

Pastaj më buzëqeshje…

Kur ti buzëqeshje,

buzëqeshte e gjithë bota

bashkë me ty.

/www.qendrapress.com/