Fryma poetike e se mërkurës me poeten;-Teuta BIÇAKU

Fryma s’ka udhë pa ftesë

————————-

Ajo endet në pragje si mjegull,

që s’gjen lëkurë për t’u përtërirë.

Zëri, një farë e amullt në erë,

që nuk mbin në tokë të ngrirë.

Ka dritare që duken si sy,

por nuk të shohin, mes bebëzash mardhur.

Ka veshë që s’dinë të dridhen

kur fjala s’është tingull, por zemër e hapur.

Një melodi s’ka lindje

pa një tjetër frymë që e pret,

si një violinë pa hark,

si një fjalë që mbetet në buzë,

kur askush nuk e ka emrin për ta thirrur,

kur askush nuk mundet ta ndezë si shpuzë.

#teutabiçaku #poetry #coppyright

/QendraPress/