Fryma poetike e së mërkurës me poeten;- Zhaneta BARXHAJ
M’u ftohën ëndrrat
————————————-
M’u ftohën ëndrrat,
ndërsa prisja stacioneve të tejbotës.
As shall, as kapuç, as dorashka nuk pata,
t’ia mvishja copëzave të zhveshura.
Brinjë më brinjë e morën ftohmën,
e kolla gjyryk çjerrë më sëmbon e më çmend.
As rrufën, as temperaturën nuk ia ula dot,
jetës së gjatë që m’i sëmuri.
M’u ftohën ëndrrat,
e tash, në morg laj shtatin e tyre,
para se të treten në arkmort.
***
Si të mund të mbushem me ty,
të ngopem me hapësirën tënde në mua,
që pastaj të të lë të shëtisësh liri plotë?!
Si t’ia bëj kësaj urie të vazhdueshme,
që më grryen deri në alivani?!
Këtij malli të rrëmbyeshëm,
që rrjedh në mua e më mbyt,
më tjetërson, më shkallon?!
Ma thuaj si t’i shpëtoj mëkatit të grykësisë,
kur ti gjithë kohës më tundon?!
***
Kur dritat e skenës shuhen,
më thuaj ç’mban në zemër?!
Kur brohoritjet zbehen
e duartrokitjet heshtojnë,
më thuaj çfarë mbetet?!
A jetojmë për një çast shkëlqimi ?!
Apo mes tyre kërkojmë
t’i ikim vetes, të vërtetës,
vetë vdekjes…
Shuaji dritat, zbriti shkallët,
dhe ik shihe veten në pasqyrën e dollapit të thyer,
në cepin e shtëpisë ku linde.
A je po ti?? A e njeh më veten??
Fiki dritat fiki… dhe ndize zemrën.
/www.QendraPress.com/