Fryma poetike e së mërkurës me poeten:Angela KOSTA
ELEGJI
Atë natë të bujshme, të ftohtë
në qiell nuk kishte yje, nuk kishte hënë.
Edhe pse ishte mars
nuk kishte lule, nuk ishte pranverë.
Në terrin e natës, tej në hapësirē
diku në breg të huaj
dëgjoheshin klithje, ulërimë.
Dallgët e detit egërsisht përplaseshin
mbi një anije të vjetër
e braktisur në mëshirën e fatit
si shumë fëmijë të mbetur
pa nëna, pa baballarë.
Të tmerruar u përpoqën të shpëtonin
as kohë nuk patën të luteshin
uji i ftohtë me vete papandehur i gëlltiti
i përpiu pa ua dëgjuar dëshpërimin.
Deti u tregua i pamëshirshëm
i fshehu diku në fund të mallkimit.
Natë e zezë kurrë nuk mund të harrohet
gjëmë në kujtesë jo vetëm të atyre
që mundën të shpëtonin
skenar tragjedie, dhimbjesh e vuajtjesh
deri në përjetësi.
Mes lotësh dhe lutjesh në netët e pagjumë
njerëzit kuptuan vërtetësinë
se fatkeq të vendit të tyre ishin.
Vendosën që detin më të mos e kalonin
por tokën mëmë të dashuronin
pa e braktisur kurrë më.
Vetë deti ua thoshte këtë
por anije të tjera tentuan
një nga një, radhazi ta sfidonin
ndaj zemërimi i tij kulmin arriti
shkaktar i tragjedive pafund.
Kaluan disa kohë
dhe deti dukej sikur ishte qetësuar
fatin, shpresën në dorë ua kishte lëshuar.
Njerëz të tjerë filloi të përqafonte
në brendësi, aty ku askush nuk mund
t’i ndihmonte, të gjorat jetë pafat.
Shumë filluan ta urrenin njerëzit
atë, tek i cili deri dje
shihnin veç pasurinë dhe mbretërinë
ndaj filluan ta mallkojnë ditë e natë.
Por deti nuk u lëkund aspak
para mallkimeve të tyre mëkatare
dallgët lëshonte në breg
Zot e ndjente veten, pa pasur fare frikë.
Kërcënimeve të tyre filloi t’u përgjigjej me butësi
sadopak t’i ndihmonte kërkoi
fajtor jeni ju… tokën kurrë mos e tradhtoni.
Shikojeni sa vuan,
mos e braktisni në mëshirën e fatit.
Njerëzit krahët i kthyen njëherësh
përmallueshëm puthën tokën mëmë.
E vaditën me lotët e nxehtë
u përkulën ndër gjunjë
teksa merrnin bekimin
dhe u betuan se larg në dhe të huaj
kurrë nuk do të mund të treteshin.
Ndërmend u erdhën fjalët e Naimit dhe Çajupit
vargjet e shkruara për të shtrenjtin mëmëdhe.
/www.QendraPress.com/