Fryma poetike e së mërkurës me poeten;Barie ÇUPI

Si violinë fle mbi vargje

——————————–

Dhe dua të jem drita,

a luledele e brishtë,

nën vellon dimërore,

çiltërsia më çel shpirt.

Lotët rënë mbi buzë,

ditëve të ftohta,

tek ngrijnë e shkrijnë qerpikësh,

mbush e zbraz me gota.

Dhe hapen zemrës miqtë,

secili fjalë të mira,

mbi jastëkun e muzgut,

nguc harresa të mpira.

Dhe shtyhen derës ditët,

si libra të vjetëruar,

ca gërma i mban idhull,

ndër gjuhë i fsheh dënuar.

Ëndrrat grisur teshash,

as dantella,as najlone,

mendësitë si lëng i idhët,

bërë fatet monotone.

Të gjithë zhgënjejnë hapur,

këmishë e ditës ndotet,

tek ngren shëndet’n e rastit,

motit f’tyra i ndrrohet.

Dhe njerëzit lozin kohërash,

gratë bëhen burra,

kërcasin brinjët e qiellit,

qesh e çmendu ka ardh puna.

Me ngasje shtroj tryezën,

zemra pëshpërit,

zgjohu Zot,shih dit-natën,

fustan shqyer orë e vit.

Si violinë fle mbi vargje,

dilemash,urat shembur,

vdekja rri nën petka,

ofshama gëlltis trembur.

Dhe dua të jem drita,

ndoshta val’a energji,

në vakum ku rrahin pulset,

të kish’ veç dashuri…

/www.QendraPress.com/