Fryma poetike e së mërkurës me poeten:Barie ÇUPI
Sot lashë nënën mërzitur.
——————————-
Qenkan thinjur shkëmbinjtë,
veç ca çafka të lodhura,
u përplaskan shpërndarë,
paskan ikur të rinjtë.
Si shigjetë,
një klithmë shpirtit më gjëmoi,
rrebeshet i paskan pirë pleqtë,
çati të kërrusura,
ç’ferra qenkan shtuar,
paska tharë dhe përroi.
Pak zë ere si ulërimë mbytur nën vete,
shkumë e përvaltë dielli digjka dheun,
një glasë mjegulle në muzg,
zbutka vapën,
korrikut i thyeka tehun.
Një vetimë e fshehtë,
çika-çika m’i bëri të gjitha fjalët,
vendlindja ime,
si me pas shkrep rrufeja livadhesh,
vetmia profeci,
në krahët e mallit vdesin të gjallët .
Pafund zogj të butë,
pa u rritur mërgata ç’i përpin,
kryelartë veç demonët rrënojnë fole,
sot lash nënën mërzitur,
sytë e saj pikëllim,
i egër më ka mbërthyer,
një det me zemërim.
/www.QendraPress.com/