Fryma poetike e së mërkurës me poeten:Brixhilda DEDE

DIÇKA PËRTEJ

——————————–

Le të derdhë valë cunami.

Të largojë pluhurin nga pritje e gjatë.

Gishtërinj të padukshëm të përkundin tela zemre, me natë.

Në ajër të nxehtë, në verë të thatë.

Ujra të ndenjura të marrë e liga.

Shpirti qelibar të mbretërojë në parajsë.

Epshe dashurish të zjarrmojnë qiejt.

Në ditë të re, në hënë të plotë argjendlarë.

Që ti të ndihesh përsiatjen e buzëve, kur flet në gjuhën e shpirtit.

Si trëndafili mbahet rrënjës, përkundur gjethe hapësirës së erosit,

Kur gjuha, xhiros së Magelanit njeh kontinentet.

Puth pa rreshtur, puth pa ankth!

Nëse poleni nuk të deh, këtu ka qumësht të bardhë të shuash etjen.

Ka flatra për fluturim,

Në qiell të thellë, të kthjellët, frekuencash të larta.

Aty, ku s’ gjenden më gjurmë njerëzish.

Të hapësh lirshëm gjoksin e brishtë,

Drejt misteresh të panjohur.

Të kuvendosh me perënditë, altarit ku ulen triumfatorët.

Në qiell të zjarrtë, në det me dritë.

Ku ti shfaqesh magjishëm si diçka më tepër se diell!

Diçka më tepër se gjithësia çmendurake!

Diçka më tepër se gjithçka e marrosur!

Diçka përtej, përtej së përjetshmes ku gladiolat petale shpalosin!

Brixhilda Dede

/www.QendraPress.com/