Fryma poetike e së mërkurës me poeten:Gerta BANDILLI
Poezi mëngjesi…
——————————
Është i çuditshëm
Mëngjesi i orës 6:00
Kambanat
Ende nuk kanë rënë
Dhe hoxha ka kohë
Që këndoi namazin.
Është herët
Të pish kafenë
Dhe të tymosësh
Mes asgjësë së pritjes.
Uji i ngrohtë
Të sjell të tjera ndjesi
Po planet e ditës
Nuk t’ i sjell në mend.
Është herët të mbathësh
Këpucët për rrugë…
Të telefonosh mikun tënd
Është vonë
Të ujitësh lulet
Apo të përcjellësh hënën
Është vonë
Të bësh dashuri
Apo të nxjerrësh qenin shëtitje
Është vonë të ëndërrosh
Apo të vraposh për të ruajtur formën
Veçse je fiks në kohë
Të takosh atë
Që në mendimet e tua
Është i vetmi mendim…
/www.QendraPress.com/