Fryma poetike e së mërkurës me poeten:Merita GRUDA

HELENË

———————

Një fat i vendosur mbi një short,

S’mund të qe ndryshe, Helenë!

Pazari t’i fashiti ëndrrat që Menelau nuk diti t’i lexojë

 derisa Paridi i bëri të marrin jetë.

Mos fajëso veten, Helenë!

Mes Paridit, sado mendjelehtë,

dhe teje nuk qe Afërdita,

por Dashuria.

(Asnjë mendjendritur nuk i bëri dot ballë, asnjëherë.)

Të tërbuar, u dyndën të ta merrnin,

bashkë, të gjithë.

Të vetëm nuk ia dilnin dot, por tok,

 e vrisnin, – menduan.

Dhe dogjën, vranë e prenë,

 e fitimtarë, të sollën në shtëpi

, Por humbës mbetën, të përjetshëm.

 Se netëve,

 Trojën

ëndërroje ti.

/www.QendraPress.com/