Fryma poetike e së mërkurës me poetin:- Gëzim AJGERAJ

COPËZA TË NJË LETRE NGA ATDHEU
———————————————–
Ke ikur atje ku njëmijë vjet liria ka emër
të strehosh ëndërrat dhe kokën në rrezik
nga motet e tërbuara ballkanike
Ti ke veç pranvera i dashur vëlla, ke veç shkëlqim
pas shkëndijave të tua ndizen kandilat e lirisë
të munguar shekujve këtu tek ne
Sado që euforia e kohës do na mashtrojë
herë herë del edhe ndonjë palaço
e hedh gurë pas zogjve tuaj atje
por ti mbetesh emri i idealit të dritës për ne
Tek ne historia ka nisur të shkruhet së prapthi
bile kolaboratorët me një rrëfim nëpër media të shitura
lustracion i bien biografisë së vet të zezë brenda orës
dhe vet – shpallen heronj të gjallë njëherësh
E ata shokët e idealit tënd vëlla
kanë ikur moti në botën e përtejme
për lirinë dhe s’u kthyen më,
as ti nuk e gëzove ditën e dasmës së madhe
Bile vëlla i dashur, atij idealit tënd
po thonë se i është ndalur ora
sa turp më vie kur ta nis edhe këtë fjalë
sa i skuqur ndjehem para sakrificës tënde
Më mirë vëlla të mos na shohësh ne
me këto paçavure grindjesh e etje të pazareve
për një lëkurë karrigeje
që as’sesi ta ngopin të mallkuarën
Nuk dua aspak të të zhgënjej e as të të fyej
Këtu shumëç’ka është nëpërkëmbur
Lufta liria paqja, njeriu, njerëzorja, shëmbëlltyra
Nëpër mote të liga po ecim, dhe fati i atdheut
E di se nuk thyhesh, sepse nuk je thyer në asnjë etapë
dhe as do thyhesh për asnjë fortunë
dhe kurrë mos u thyej
se një ditë e drejta jonë, patjetër do triumfojë
/QendraPress/