Fryma  poetike e së mërkurës me poetin:-Kastriot MALO

Kudo je ti.

—————

Ti vajzë syshkruar e rrugës sime,

Ku je fshehur tani që s’të gjej kund,

Në argjendin e kumbullave të bëra dyllë,

Apo në të kuqin e manit që flladi shkund.

Mos je në foletë e lisave në korije,

Ku zogjtë pa krahë rrëzohen prej saj,

I hapin sytë prej errësirës disa ditore

Të marrin me vete kaltërsive më pastaj.

Apo je mes lulëkuqeve në grurë,

Poshtë ledhave të vena në këmbë,

Aty ku bujku tremb zogjtë mbi kallinj,

Apo pi ujë të ftohtë nga bucela nën tendë.

Mbrëmjeve del e sheh perëndimet,

Apo xixëllonjat të kanë vënë në mes,

Ka një ninullë të rrallë gjallesash nata,

Një ansambël në unison deri në mëngjes.

Apo ke dalë lëndinave me erë bari,

Qiellit arushën e madhe gjen mes yjesh,

Trokun e një mushke, zilen me fleta zënë,

Dhe pastaj si gazelë zhdukesh mes pyjesh.

Ti vajzë syshkruar e rrugës sime,

Do vi të gjej t’i harrojmë ca muaj hallet,

Shkojmë të freskohemi tek ngjirri në lumë,

Ikim larg nga rrëmuja, ikim marrim malet.

/QendraPress/