Fryma poetike e së mërkurës me poetin:-Ragip GJOSHI

PËRTEJ IBRIT

———————————-

Sa herë poeti shfleton jetëshkrimin e Dardanisë,

Të pagjumë agsholit e zënë nëpër Balada,

Të syrgjynosur,në jehonën e lavdisë,

Të rraskapitur duke përbirë lajme ndjellakëqija.

Fjalët e poetit, dikush nyje tenton t’ i lidhë,

E uniformë robërie t’i prehet Hartës së Kosovës,

Për një copë dheu të saj nuk po flitet mirë!

Përtej Ibrit në tokën e Isës ;

Ku roje është kthyer baca me nam…

Që në Histori “lordit Grey” i pati thënë në sy

“Për së gjallë armët si dorëzoi…!”

Nxori Nagantin nga shoka, pranë ia lëshoi,

E i tha:“Un’ jam mirë kur âsht’ mirë Shqipnia!”

Eh,sa kam mall për fjalën tënde të pashteruar !

Diellin tonë e kanë shënjestruar,

Po rrahin kambana mesjetarçe,

Zëri i natës po ia ndjek dhe këngët poetit;

Pranë Ibrit ka dro se do mbesim të palarë,

Pranë Ujmanit ka dro të mbesim në terr-padritë…

Kandilin duan të ia fikun poetit,

Bien daullët e dallgëzuara brigjeve:

Pranë sofrës të na rrëmbejnë kafshatën,

Vringëllin sëpata mbi Lisa dhe degë,

Kundërmon aromë e motit të ligë

Mercenarët,tuxharë, dhe fajdexhinjë,

Bashkë janë bërë-po shkretërojnë anembanë…

Nën thunder të mbajnë këngën e poetit e duan,

Anës Ibrit të pagëzohet Këngë e pakënduar-

Poeti digjet çirret i vrerosur e i çarmatosur,

I etur për Ibrin, Sitnicën, Lushtën dhe Trepçën…

Kot pret i etur poeti për pak Dritë të Ujmanit,

Kot pret për të thithë pak kthjelltësi andej,

Kot ndezi një shpuzë eshkë mbi frymëzim;

E kot me urorë ndezë ethet e këngëtimit…

Këngët e poetit –roje të stinëve

Janë çakërdisur, batërdisur duke u përpëlitur,

Duke bërë thirrje të thekshme për Avni Rrustemin,

Jehojnë shpatullat e maleve Zveçanit e Shalës,

Buçet,sa zgjojnë nga gjumi të përgjumurit..

Nën çatinë e këngëve të poetit,

Populli po heshtë e tirani po bërlyket!

Nëpër Ibër noton anija e halleve tona,

Duke përçapë kujtimet kur pëlciste guri!

Toka e Kosovës as nuk shitet as nuk blejhet,

Vëllai i dëshmorit refuzon një milion euro,

Nuk shet tokën,gjakun dhe shtëpinë në Veri:

Tha:Nuk ka pare Serbia me i ble kullat e mia!

Poeti mallkon rrufetë e rrebeshet,

Lutet të mos fryhet Ibri,

E të mos skuqen asnjëherë malet e Shalës…

Kënga e poetit dridh Parlamentin,

Ka halle Qeveria-si ha palla për poetin…!

As për dënimin e UÇK- së në emër të popullit,

As si të kapërcehet Urë e Fshajtë mbi Ibër

Cila do jetë kunata e vogël e murosur?!

Poeti në këngë edhe foshnjat i bënë trima,

Ua vë martinën në cep të krahut,

Ky ilaç poetik e ky kushtrim artistik;

Malin me mal ku flitet shqip e merr ngrykë-

I jep forcë e shpresë edhe minatorit,

Se pas dimrit vjen një pranverë…

Mitrovicë, më 19 dhjetor 2022

/www.qendrapress.com