Fryma poetike e së mërkurës me poetin:Brahim AVDYLI

PO TË ISHE GJALLË,

JUSUF GËRVALLA !

—————————-

Mikut, poetit, luftëtarit

dhe dëshmorit- Jusuf Gërvalla!

1.

Ah, po të ishe gjallë

e midis nesh, Jusuf Gërvalla

për të bërë shtatë netë në Dubovik

në atë kullë që i ra territ si pirg drite

me dyer të ngjyera si pranvera,

sa do ta gëzonim Loken,

sytë e stisur nga dhembja

do t`ia mbushnim njomësi-

pikëllimi i ndarjes sate e ka lodhur vëlla,

gjyshi do të na mësonte, përsëri

si maten shekujt me orën e dashurisë…

Paj, edhe gitarës do t`ia ngjisnim

at tel të shkretë, këputur në mesudhë

trollit tonë dhembjet për t`ia qarë

deri në mëngjesin e purpurtë!

2.

Jusuf, vëlla,

nuk e di çka do të bënim në dimër

pa këngët tua,

pa fjalët që shkrinë damarët e dheut;

a do të kishim pranverë ndër fushat tona

a do të cicëronin maleve zogjtë e mendimit,

mbi plepat e vetmuar a do të zbriste

ndonjë dallëndyshe me fletë…

paj, edhe ashtu të vonuar e kemi pranverën,

mezi u rriten lulëkuqet në këngë,

mezi u përplasen ujëvarat e fjalëve;

tashmë, shelgjet buzë përroit

ngjyrën e vargjeve tua e kanë marrë,

ndër livadhet e egra bari ndihet i lënduar

sa herë e dridhë malli për ty!

3.

Po të ishe gjallë, do të niseshim përsëri

rrugës që ke ecur dikur me libër në dorë,

do t`i përqafonim blirët me kurora të buta

faqet do t`i lanim te kroi në mes të fshatit-

ai që nuk ka ngrirë në dimër, as shterruar në verë,

dhembjet trollit do t`ia lanim burrërisht

sepse vetëm ai e ka mësuar të vërtetën e shekujve

vetëm ai e di sa e thellë është rrënja e bimës sonë,

çka pëshpërit damari ynë kur vie nëpër tokë

për të freskuar dheun me dëborën e bjeshkëve!…

4.

Po të ishe gjallë, bre Jusuf Gërvalla,

edhe më mirë do t`i mësoje nënëloket tona

brumin e lirisë të gatuajnë në pogaqe dielli

ta pjekin pastaj në një çerep prej dheu

dikund në oborret tona

e kreshnikëve të Dukagjinit forcën t`ua përtërijnë!

5.

Prandaj, kur të bie muzgu i parë

me një këngë të re t`i zgjonim stinët e fjetura,

burrat t`i ushtronim deri në ag

bajlozin e mallkuar ta shtrijnë për dhe

e në temelet e vjetra ta ndërtojmë

atë shpëpi që pate nisur atëherë

me dritare të mëdha, ballë për ballë diellit!

6.

Sa herë i drejtohem portretit tënd

si të ishe gjallë kërkoj të mi dëftosh

të gjitha lojërat që luhen prapa kurrizit tonë,

edhe atëherë kur druhem se nuk e di

ku është fshehur kokrra midis kapuçash!

Lotët më shkojnë kur s`ta dëgjoj zërin,

mendoj se ke marrë inat e s`më përgjigjesh,

nuk guxoj të shtrihem as për një çast para teje,

më duket se më qorton me vetullat e mbledhura,

“nuk kemi kohë të çlodhemi”, sikur më thua

e dridhem nga shqetësimi

i viteve të vjedhura ndër plagë!

7.

Në çdo skutë të dheut të marr me vete

bashkë me gdhenlën e një lisi dukagjinas,

habiten kur i shohin ata që nuk dinë

sa e thellë është fuqia e trollit tonë,

sa e çuditshme natyra e kësaj dhembje

që të përcjell kudo, edhe përtej botës

dhe vetëm ajo të jep shkas

të jesh ai që duhet të jesh;

habiten, sepse nuk e dinë magjinë e fjalës

lidhjet e saj me nëntokën-

atë dhé mbi të cilin kemi nxjerrë

fletët e para të frymimit!

8.

Kur ma prekin Kosovën

më zënë gurët e bjeshkëve tona

e gjëmoj si t`i kisha nëntë plagët e Gjergjit!

Asnjë mjek nuk e di rrënjën e kësaj sëmundje

diagnozat e gabuara më mundojnë,

e të thërras në ndihmë Jusuf, vëlla,

që t`më japësh forcë ta shkruaj vargun-

një varg që nuk i nënshtrohet të keqes;

që s`i trembet plumbit edhe kur e nxjerr i paudhi

ai që mallkuar e ka qumshtin e nënëlokes

e fyer trollin e të parëve

sa të mos e pranojë dheu!

9.

Nuk u mbaj inat as kur më godasin fshehtas,

e di se vjollcat dalin midis therrash

dhe u mjafton përmasa e vet

për të kundërmuar pranverën,

“lulet paskan vetëm fatin tënd”-

të këputen papritur, aq dhimshëm,

kjo i shndërron në kurorë të blertë-

në kujtim të pashuar bukurie!

10.

Kur të shoh në pankarta

mas kolonën pas teje.

Shpesh dyshoj se të mbajnë

ata që s`të duan,

ata që mbi emrin tënd e rrisin veten

e nuk dinë asnjë varg nga vjershat tua,

as ç`lajme sillte lajmtari i parë…

ndaj moti ngatërruar i kanë

anët e horizontit!

11.

Atëherë rebelohem

e mbushem vrerë,

orvatem t`i bie

rrotul të keqes,

t`ia mas konturat e ta zbuloj

ku fshihet fara

e kësaj stine të ligë!

12.

Por, kur kthej sytë

e veneroj nipat tu-

hallkën e tretë të gjakut,

gëzohem që ta përtërijnë emrin,

që mbajnë nëpër duar

flakadanin e fjalëve tua

ani se i ramë rreth e rrotull botës

e u kthyem, kaq vonë,

në themelet e kullës së braktisur!

13.

Tash, zgalemi i fjalëve tua

nuk është i vetmuar nëpër qiell,

çdo qelizë e jona po niset kah dielli

por, vetëm ty të kemi

kanuashë të verdhë-

lajmëtarin e parë të gjelbrimit!

14.

Një ditë, sërish do të mblidhemi

te pema që po piqet

me hovin e mendimit-

besoj se i kemi gjetur shkronjat

që deshifrojnë

gjuhën e dheut

ndaj kemi zgjuar pranverën-

të vdekurit e të gjallët nëpër vargje!

15.

Ajo shishe gjak

që kishim në damarë

mjafton ta kryejmë

deri në fund këngën tonë,

sofra e shtruar

po na pret në vendlindje

ani se ke dalur në at qytet të panjohur,

era e misrit, o vëlla,

t`asaj bime të vonë-

të pavdekshëm do ta mbajë

fluturimin e fundit!

&  &  &

PËRVJETORI I DHEMBJES

_______________________

Shokut të idealeve, luftëtarit

dhe dëshmorit- Kadri Zeka!

Sa herë bie pranë strofullës sate

në këtë rrugë të pikëlluar,

nga një copë qiell më rrëzohet

nga një pishë Kosove digjet flakë

në sytë e mi,

dhe të shoh çdo herë në dritare

me sytë plot jetë, kthyer kah liria,

ashtu të heshtur përshëndetemi

unë dhe drita e shpirtit tënd!

Në çdo janar, arteriet

më shndërrohen në Dri të bardhë

mbushur me dhembjen time plot dallgë,

me ujin e gjelbërt të mallit, vëlla,

dhe portretin tënd

që kaliron mbi valë!

Beso, këmbët s`më sjellin te varri

pa e shpaguar gjakun e patharë

që nuk ra të mbetej në tretdhé,

atje ku shtrigat shituan ditën tonë

ende pa u ngritur Dielli!

E në qoftë se një mëngjesi

shtigjeve të dhembjes takohemi sërish,

të lutem, mos mi lavdëro vargjet

nëse në altarin e fjalës

s`kam vdekur si burrë!

/www.QendraPress.com/