Fryma poetike me poeten:Rovena SHUTERIQI
M’u shemb bota
—————————
U shemb bota, apo shpirti im u trondit
prej gjëmës që po i shihnin sytë?!
Eshtra të mbuluara nga mishra të tretur, u mblodhën,
u bënë topth, frymën mbanin, ta mbysnin kërkonin.
Sytë të lebetitur luteshin pa zë.
Gjaku venat kuqonte e lëkura dukej
si prushi kur ndizet dhe gjurmë lë.
Duart shtriheshin të kapeshin dikund,
lemeria kishte kapluar trurin e s’linte vend për askënd.
Përpëlitjet e jetës zveniteshin duke rendur me hapa galop drejt vdekjes.
Grahmat e fundit humbën tingëllimet.
Sytë u përpoqën të mbaheshin zgavrave të tyre,
formuan dy pika lotë që vezulluan si margaritarë.
Forca të gërshetuara lidhën vdekjen prej gjuhe.
E zvarritën prej mureve të brendshme të “kufomës”.
E nxorën në dritën e ditës. Si vampiri u dogj,
u tret dhe pluhuri i zi me erën u fashit.
Regëtoi zemra përsëri, trupi u drodh, lastar u bë,
preku atmosferën me ëndje si atëherë, kur lartohej me ngazëllim.
/www.QendraPress.com/