Fryma poetike me poetin:-Faruk TASHOLLI

BALADË PËR 1432 ZËRA

——————————————

1432 zëra nuk dëgjohen më

As shtatët e tyre nuk rritën kurrë

Ata kanë vetëm një emër që kumbon trishtë

Fëmijë e vrarë në Luftën e Kosovës

Janë 1432 zëra të shuar që vijnë e qajnë natën

Nën sytë e shterur të nënave

Derisa struken fëmijërisht

Në shkretëtirat e gjinjve të djegur

Cili u qëllua me plumb cili u shkel nga tanku

Cili u dogj në turrë të druve

Duke nxjerrë për flake klithmën e fundit

Për ta shpuar qiellin

Ata vijnë e qajnë në pellgun e kujtimeve

Tërë natën e lume qajnë e nuk prajnë

Dhe ikin pa ëndrra nën rrezen e parë të diellit

Të vetmit fëmijë të shndërruar në hije

Në lule të padukshme

Fëmijët e vrarë në Luftën e Kosovës

GJËMA E GRAVE TË DHUNUARA

Ne të dhunuarat e Luftës së fundit

Nuk jemi gra që ndërruam shtratin,

Për një copë turp të skalitur në ballë.

Guri i dashurisë sonë peshon aq rëndë

Sa nuk lëviz në zemër. Po

Ai u thye copë-copë kur zbarkuan

Vrasësit e çakërdisur para këmbëve tona –

Të lidhura.

Dikush u vra pa e kaluar lumin

Dikush me fëmijën e shtrënguar për gjoksi

Duke ndjerë ndër dënesje-

Përqafimin e fundit.

E neve, oh, neve-o

Si nuk na mori plumbi?!

Ne u vramë në shpirt dhe aty,

Aty mbajmë vdekjen –

Si guvë me grykë të mbyllur.

Ne gratë e dhunuara në Luftën e fundit

Nuk kërkojmë më shumë se dashuri.

Vetëm ne e dimë çka është e shkreta

Për shpirtin e plandosur nga plagët dhe tash,

Ajo na mungon.

Mjafton të vijë pas shpinës sonë

Vetëm një gisht tregues dhe vrasja

Si refren i trishtë na shiton.

Nëse doni ta shihni vetëm për një çast lirinë

Si Kështjellë,

Ju lutemi, vini vesh në themelet e saj,

Aty ku u murosën klithjet tona –

Si trupi i Rozafës.

SHKRUMI I NËNËS

QË E DJEG KËNGËN

Ai atje në turrë të druve

I mbuluar nga flakët

I fundosur në pellg prushi

Nuk është Giordano Bruno

Është fëmija im i pambrojtur

Tek digjet për së gjalli

Mes krismave të drurëve në zjarr

Kot e shpoi qiellin kot kërkoi zot

Me klithmat e fundit

Kot thirri tmerrshëm

Oh Nanë O Nana ime

Mua më ngulfati vrasësi serb

Duke ma mbushur veshin me zë të egër

Tash do ta ngjizim fëmijën tjetër

Me gjakun tim

Kur pushuan vrasjet

Asnjë shi nuk e fshiu shkrumin tim

Derisa po hyja me trishtim

Në kolonën e padukshme të grave të dhunuara

/www.qendrapress.com/