Fryma poetike me poetin:-Sabit RRUSTEMI

Një mbrëmje të vonë trokite e hyre në Shtëpinë time

/Seremb Gjergji /

me një pamje diellore

e buzagaz të ëmbël si Fjalët Tua

Kishe kaluar fusha e male e male

nga Dkagjini yt i lashtë

der në Karadakun tim të moçëm sa vetë koha

Të prita ashtu siç pritet miku

pa më shkuar mendja pse më herët s’ishim parë

po ç’rëndësi kish kjo

kur ne ABC -në e jetës së njëri -tjetrin e dinim në gishta

nuk kishim për t’folur për lisa e fshisa

po

ç’të bënim tash me këtë Kosovë kur mbeti në duar të tona

Kafja e Shpisë si i them unë

u vlue e u ftoh e mbeti e pasosur

se të etur ishim për fjalë

Folëm e folëm e ç’nuk folëm

dhe të pangopur prej fjalësh prapë mbetëm

Të pakohë qëlluam në jetën tonë që kohohet nxitimthi

Një kafshatë me bukë e kripë s’e shijove

u mjaftove vetëm me Zemrën e Mirëpritjes

e

shpejtë shkove

Lutjet e mia

ftesë e hapur ngelën

ftesë e papërmbushur

përkundër një premtimi

T’a preu udhën një Kohë e Ligë

një Kafshë e Keqe

që pahetueshëm të hyri nëpër dej

për ta thithur atë ëmbëlsi gjaku që jepte shpresë e besë

se “ditë të mira do të vijnë”

E vogël Prishtina

Shkupi e Tirana

e vogël dhe Amerika jonë e madhe

që ende s’e hoq prej rendit të jetës këtë vdekje

Tash ti ndërrove e jetë

truall të ri

e të përhershmën Shtëpi

Me të shumtit bashkove Shpirtin tënd

shtatë palë qiejve që na rrinë sipri

anise eshtrat kësaj Kosovë sonë të dashur ia fale

Jo vetëm mue

edhe një mal miqsh i le këtyre dherave duke pritur

kur do t’hapet ajo portë

nga jotja dorë

të na i mbushësh sërish zemrat

me dritë hyjnore

e atë buzëqeshje

Se fjala ende është fjalë

dhe s’rron dot pa një Konstatin

e një Kalë që i shprushë këto dhera

… or djalë e shkuar burri

kahdo që të shkosh

miku im do të mbetesh

trokitjen tënde të sërishme

duke e dëshiruar

( 10 – 11 dhjetor 2022 )

/www.qendrapress.com.