Fryma poetike të së mërkurës me poeten;-Ganimete Jakupi DEMIRI

NJË DITË

—————————————-

Një ditë do të takohemi patjetër,

Do ta tjetërsojmë shikimin si të verbuar,

Madje duke mos thënë asnjë fjalë,

Do të strukemi në një qoshe plot mall…

Në kafenenë e vjetër tek tavolina e mërzisë,

Do t’ia përmendim emrin njëri-tjetrit,

Fshehurazi kur flasim me miq,

Duke zbrazur shpirtin plot pikëllim…

Do t’i dëfrejmë gjithçka për dashurinë,

Për puthjet e zënkat plot nostalgji,

Për ditët dhe netët e bukura që ikën si era,

Dhe nuk i ktheu dot asnjëherë pranvera…

Do t’i dëfrejmë të tjerëve me lot në sy,

Se si shpirti digjet përbrenda si qiri,

Për ëndrrat që kishim thurrur pambarim,

Por fatkeqësisht një ditë përfunduam si dy të huaj në një udhëtim…

/www.qendrapress.com/