FSK nga muaji mars në mision paqeruajtës me ushtrinë amerikane

0

Forca e Sigurisë së Kosovës në pranverë të këtij viti pritet t’i bashkohet ushtarëve amerikanë në misione paqeruajtëse. Marrëveshjet janë arritur dhe kanë mbetur vetëm procedurat administrative deri kur FSK për herë të parë do të marrë pjesë në një mision paqeruajtës.


Këtë për KosovaPress e konfirmon komandanti i FSK-së, që ndër të tjera thotë se ushtria ka nevojë për më shumë buxhet për të përfunduar procesin e transformimit. Gjenerallejtënant Rrahman Rama flet edhe për presionin që Serbia po vazhdon të ushtrojë mbi pjesëtaret serb në FSK-së, përkundër të cilit ata po vazhdojnë shërbimin në Forcë.

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowa-s. Ky vendim do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane.

Një numër simbolik i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me Gardën Nacionale të Iowa-s, pritet që në muajin mars të jenë pjesë e një misioni paqeruajtës në botë.

FSK do të marrë pjesë për herë të parë në një mision paqeruajtës, pas së cilit pritet që në numër më të madh pjesëtarët e Forcës të marrin pjesë në misione të tjera paqeruajtëse në botë.

“Do të bëhet shumë shpejtë realitet që do të jemi pjesë e misionit paqeruajtës bashkërisht me Gardën Nacionale të Iowa-s, ne jemi tash në proces të përfundimit të punëve administrative që janë marrëveshje me shtetin që do të jemi në mision bashkërisht. Kemi bërë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë procedura administrative që ne duhet në të ardhmen edhe në Parlament, sepse llogaritet një mision paqeruajtës, sado simbolik dhe numër i kufizuar të oficerëve dhe nënoficerëve që do të jenë, por po do e kemi një numër simbolik por që është shumë i rëndësishëm për institucionin por edhe vet vendin, për herë të parë do i kemi pjesëtarët tanë që do të japin kontributin e tyre në misione paqeruajtëse”, thotë Rama.

FSK ka përfunduar fazën e parë të tranzicionit, ndërsa tani po fillon të dytën e cila lidhet me ndërtimin e kapaciteteve të reja që janë ato për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

“Top prioritet janë këto dy njësi, për ndërtimin e kapaciteteve trajnuese bazuar në mandate dhe mision të ri dhe njëjtën kohë edhe regjimenti i parë për certifikimin e kapaciteteve të para që do të jenë mbi bazën e standardeve të NATO-së”, thotë Rama.

Komandanti i FSK- thotë se faza e dytë e tranzicionit do të jetë më komplekse dhe e njëjta kërkon përkrahje më të madhe financiare.

“Ne planin e tranazicionit ne kemi planifikuar për çdo vit të kemi 5.5 milionë rritje në buxhet, dhe kjo është një deklaratë financiare që është nga ana e shtetit dhe Qeverisë, këtë duhet ta kuptojmë, ky plan i tranzicionit është i aprovuar nga Qeveria dhe ne si institucion jemi të obliguar ta zbatojmë këtë synim dhe këtë obligim që e kemi dhe krejt varet prej përkrahjes që do ta kemi, qoftë në kuptimin financiar qoftë të tjera që neve na duhen prej institucioneve tjera, dhe ne duhet t’i realizojmë ato obligime”, thotë ai.

Megjithatë, gjeneral Rama thotë se tkurrja e buxhetit për ushtrinë që u bë në vitin e kaluar, nuk i ka penguar ata të ecin përpara me planin e paraparë, duke theksuar këtu përkrahjen që kanë marrë nga partnerët.

Siç mëson KosovaPress, janë rreth tre pjesëtarë serb që sivjet janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

E në këtë intervistë, komandanti i Forcës thotë se numri i të larguarve ka qenë dukshëm më i vogël se në vitet e kaluara, por siç thekson ai, presioni nga Beogradi është duke vazhduar.

“Këtë vit nuk kemi pasur shumë largime, kemi pasur një numër të caktuar.. Është shumë më i vogël krahasuar me vitet e kaluara, pavarësisht presioneve kanë arrit të u mbijetojnë dhe po u mbijetojnë atyre presioneve dhe ne jemi në përkrahje të tyre me atë mundësi dhe kapacitete që kemi, por ne nuk mund të ndikojmë në deklaratat ose presionet që vinë nga jashtë vendit… Presioni fatkeqësisht vazhdon, një lloj presioni sistematik ndaj pjesëtarëve që janë në shërbim në FSK, ka ndërruar pak strategjia, tash edhe përmes rrjeteve sociale janë duke bërë njëfarë lloj presioni jo vetëm të ta por edhe familjarët e tyre”, thotë komandanti i FSK-së.

Komandanti i FSK-së thotë se lidhur me këtë problem i janë drejtuar edhe NATO-s duke kërkuar që përmes kanaleve diplomatike të kërkojnë nga Serbia që të ndalë presionin mbi pjesëtarët e FSK-së.

Pas procesit të përzgjedhjes dhe trajnimit bazik, në gjysmën e dytë të këtij viti, FSK pritet të bëhet me 400 ushtarë të rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *