FTESË PUBLIKE: TË GJENDEN DITARËT E FËMIJËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS TË VITEVE LUFTËS (1998-1999) –Shkruan; Milazim KRASNIQI

0

Gjetja e ditarëve të fëmijëve, që ata mund t’i kenë mbajtur gjatë luftës në Kosovë, (1998-1999) do të ishte një projekt shumë i rëndësishëm. Me prezentimin e ditarëve të tillë, do të mund të prezentohej një aspekt i luftës përkatësisht i dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit që ka ushtruar Serbia kundër nesh, veçmas në ato vite. Ajo tragjedi, e shikuar me sytë e fëmijës, do të fliste shumë. Para disa vitesh jam munduar ta artikuloj atë tragjedi të përjetuar të fëmijëve, teksa hulumtoja për poezinë”Dëshira e fundit e Bajramit”, për fëmijën trembëdhjetëvjeçar, Bajram Metën nga Nivokazi, të cilin terroristët serbë e kanë vrarë në Meje. Edhe pse Bajrami ka qenë fëmijë konkret dhe është vrarë nga militarët serbë, poezia ime është fiksion. Po të kishte mbetur ndonjë shënim, ndonjë ditar prej fëmijëve të tillë, të vrarë barbarisht, vlera e atyre dëshmive do të ishte e jashtëzakonshme. Prandaj, duhet të ketë një iniciativë në nivel shtetëror, për të hulumtuar e për të gjetur dëshmi të tilla, nëse vërtet ka.

Më së miri është që këtë projekt ta fillojë Instituti i Historisë i Kosovës. Sa jam në dijeni, Instituti është duke e realizuar një projekt për historinë e luftës së fundit në Kosovë. Realizimi i projektit do të mund të bëhej në bashkëpunim edhe me transmetuesin publik (RTK.) Pra, në atë kuadër të projektit për historinë e re të Kosovës, do të mund të realizohej prezentimi i saj edhe me anën e ditarëve dhe dëshmive të tjera të fëmijëve, për vuajtjet dhe tragjeditë e përjetuara në atë luftë përkatësisht në atë plan serbomadh të spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.

Në botë ekzistojnë shembuj të mbledhjes dhe të prezentimit të ditarëve të tillë. Nuk është vetëm ditari i Ana Frankut, po janë edhe shumë të tjerë. Shembujt e tillë mund të shërbejnë si udhërrëfyes edhe për një projekt të ngjashëm në vendin tonë. (Fjala vjen, publikimi nga ana e BBC i ditarëve të fëmijëve të Sankt Pererburgut, gjatë rrethimit nazist të qytetit, paraqet një shembull të jashtëzakonshëm.) Sa për ilsutrim, po bashkëngjes këtu tre fragmente nga ditarët e fëmijve peterburgas, nga ai projekt të cilin e kanë publikuar edhe në shumë gjuhë të tjera. Pra, ftesa ime është publike dhe dashamirëse: miratojeni nje projekt të tillë dhe realizojeni sa më shpejt që të jetë e mundshme. Do të ishte argument i fortë në betejat tona kulturore të tashme e të ardhshme me Serbinë agresore.

SHTOJCË:

Nga ditari i Tanja Saviqeves:

“Zjenja ka vdekur më 28 dhjetor në 12 paradite 1942.

Gjyshja ka vdekur më 25 janar në orën 3 pasdite 1942.

Loka ka vdekur më 17 mars në pesë të mëngjesit 1942.

Daja Vasja ka vdekur më 3 prill në 2 të mëngjesit 1942.

Daja Losha më 10 maj ne 4 pasdite 1942.

Nëna më 13 maj 7.30 në mëngjes 1942.

Saviqevët kanë vdekur. Të gjithë kanë vdekur. Ka mbetur vetëm Tanja.”

(Tanja Sacviqeva ishte 11 vjeçare. Ajo ishte me familjen e saj në Peterburgun e rrethuar nga nazistët. Ditari i saj i vogël, ku shënon vetëm vdekjet e anëtarëve të familjes, është tronditës. Tanja kishte mbijetuar rrethimin dhe urinë, por ka vdekur në vitin 1944 nga tuberkulozi. Ditari i saj ruhet në Muzeun e Sankt Pereburgut.)

Nga Ditari i Lere Igoshevës

29 nëntor 1941/Para pak kohësh ndodhi diçka njëherësh e bukur dhe gërditëse dhe e tmerrshme. Babai solli një mace. E futi të gjallë në kazan dhe na e solli. Më herët tallej se ndoshta do të hanim mace, por nuk shkonte më tej. Isha e tmeruar, ndërsa babai tha se ishte shumë i uritur, se macja ishte për të, pra të mos merakosesha. Nuk munda të përmbahem, më kapi gërditja dhe fillova të qaj, vrapova ta gjeja nënën. Ngadalë u qetësova. E kuptova që kjo është vetëm nga paragjykimet. Hamë derrin dhe mendojmë se është mish i mirë, por derrat hanë çkamos. Macet janë më të pastra. Kjo ishte macja e miqve tanë, shumë e pastër, gjithmonë ka ngrënë nga pjatat e tyre dhe e kanë ushqyer mirë. Ta shkurtoj, babai e copëtoi macen, e shikova mishin që ishte në rregull, ishte e shijshme dhe… e hëngrëm. Shija nuk ishte e çuditshme, më pëlqeu, por fshihnim pjatat njëri nga tjetri dhe mezi mund ta shikonim njëri tjetrin në sy deri sa hanim. Nuk dua më të ha mace. Por, kush e di, ndoshta nuk do të kemi zgjidhje tjetër.”

(Familja e saj kishte arritur të dilte nga qyeti, me një fat të çuditshëm, thuhet në një burim.)

Nga ditari i Jure Rjabinkinit:

“6 janar 1942: Pothuajse nuk mund të rri në këmbë as të punoj. Pothuajse nuk kam fare fuqi. Edhe nëna mezi ecën. Nuk mund ta marr me mend si ka sukses, vazhdimisht më godet, më shtyn, më bërtet. Ka sulme nervore, tërbohet vetëm kur më sheh- kështu pa energji, të padobishëm, pa energji, të uritur, që mezi lëvizë, gjithnjë ia zë rrugën, “shtirem se jam i sëmurë, i pafuqishëm. Por ky nuk është aktrim. Nuk është! Nuk po shtirem, forca po më lëshon, ikën, zhduket. Koha është shpërbërë, çdo gjë lëvizë ngathtë, zgjatet e zgjatet. O Zot, çka po ndodhë?”

(Këtë djalosh familja e kishin lënë aty, kur ishin larguar. Nuk dihet se çka ka ndodhë me të më tutje.)

DËSHIRA E FUNDIT E BAJRAMIT *

Nga po na çojnë nuk e di,

Gjithë këta njerëz po qajnë.

Po na dëbojnë në Shqipëri,

A peng do të na mbajnë?

E lashë lodrën në dhomë,

Një avion të bërë prej kartoni,

Nëna e zbehur si kufomë

Më tha ta lë tek ballkoni.

Çantën e lashë në kuzhinë

Që kur të kthehem ta gjej kollaj,

Por shtëpia u mbush me tym

Flakët e kapluan fund e majë.

Shtëpia nga zjarri u tund,

E pamë kur u shemb, nga kodra.

E di që janë bërë shkrumb

Edhe çanta edhe lodra.

Tash këtu po na ndajnë

Duke bërtitur e me të shtëna,

Edhe pse e shohin që po qajmë

Edhe unë edhe nëna.

Nënë, mbama dorën, nënë,

Dorën mos ma lësho!

Nënë, pse me ty nuk më lënë

Të lutem, nënë, më mbro!

Por darë e hekurt më shkëputi

Nga dora e nënës, me furi.

Tash jam vetëm, gjëkundi

Ku jam as vetë nuk e di.

Po na bëjnë resht për një

Po mua pse, kur s’jam burrë.

Po shtien me breshëri,

Flaka po djeg si furrë.

Oh, trupi sa fort m’u nxeh

Po bie përtokë, po shoh hënën

Lart në qiell, pse ashtu u zbeh?!

Ah, ta kisha pranë vetëm nënën!

19 dhjetor 2015

* Xhevë Meta nga fshati Nivokaz ka rrëfyer se si djali i saj trembëdhjetë vjeçar, Bajrami, i kërkonte të mos ia lëshonte dorën, deri sa forcat policore serbe e ndanë nga e ëma dhe e ekzekutuan, bashkë me treqind e shtatëdhjetë e shtatë meshkuj të tjerë në fshatin Meje.

(Poezi imja nga vëllimi “Poezia dhe vdekja.”)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *