Fundjava poetike me poetin: Sabit Rrustemi
GURI I KANËS
Shtrihesh buzë udhe
si themel i Trollit t’Moçëm
me një mal kujtimesh lyer faqeve tua
Natën i zbukruroje thonjtë e zanave
ditën thonjtë e vashave
e kurrë s’ na the
cilat ta thyen zemrën
a cilat ishin më të bukura
Po atë loçkë prej guri
thellësive të ëmbla të dheut
cila ta përloti
që kullon ende me ëndrra të panxëna
Besnik i heshtur i dashurive
asnjëherë s’u rrëfeve
e sa gishtërinj të mikluan trupit
sa faqe dadash e dafinash të përlotura
u lagën e u thanë
hapësirave tua
Ta kam zili
sa herë të shoh
sa herë pranë teje kaloj
Ç’pate ti që ju dhe më shumë
zemrave me aromë lulesh
e ç’ më mungoi mua
O Gur Kujtimi
strehuar thellë kujtesës sime
sa ëndrrova të jem vetëm njëherë Ti
e t’i përjetoja nga të prekurat
gjithë ato dashuri
që përjetshëm mbetën në Ty
Seli e Shejtë e të pathënave
shpresë e rilindur
me ngjyrat më të bukura të jetës
mbete Ti
Gur i Kanës
( 14 FROR 2013 )