Furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina kërcënon paqen në rajon – Kosovës i kërkohet të bëjë rishikimin e sektorit të sigurisë
Ekspertët e sigurisë në Kosovë thonë se furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.Ekspreti Drizan Shala, tha për Radio Kosovën se që nga janari i këtij viti deri në muajin mars, Serbia ka zhvilluar 25 aktivitete ushtarake në territorin e saj. Sipas tij, kjo tregon që Serbia ka për synim të rrisë presionin publik e atë ndërkombëtar, që nëse nuk shkojnë gjërat sipas planifikimit të tyre, atëherë ajo mund të përdorë makinerinë e saj ushtarake në drejtim të Kosovës dhe disa vendeve të tjera në rajon.“Ky është një tregues që Serbia duhet të ndalet dhe kjo mund të arrihet përmes bashkërendimit të aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe mekanizmit ndërkombëtar. Kosova duhet sa më parë që është e mundur që të bëjë një rishikim të sektorit të sigurisë në Kosovë, njëkohësisht të ketë një ndryshim sa i përket fazës së planit gjithëpërfshirës të tranzicionit nga FSK. Njëkohësisht, Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë, siç është ShBA-ja, në nivel operacional nga Kroacia dhe Turqia, ndërsa në nivel taktik duhet të kërkojë mbështetje nga shteti shqiptar”, tha ai.Shala tha se synimi i Kinës është që përmes bashkëpunimit me Serbinë, të mund të ketë ndikimin e saj në politikën e jashtme të këtij shteti dhe të jetë më afër Evropës. Por, ai tha se është shqetësuese që Serbia nuk po ndalet së furnizuari me armatim dhe modernizim të kapaciteteve të saj mbrojtëse, derisa theksoi se bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e rajonit duhet të reagojnë për këtë çështje.“Respektivisht, vendet anëtare të NATO-s, duhet të kërkojnë nga Serbia, që të bëhet inspektimi i këtyre mjeteve ushtarake dhe të kërkohet llogari nga ata se për çfarë i kanë blerë dhe kur tentojnë apo synojnë t’i shfrytëzojnë këto mjete, të cilat i kanë marrë së fundmi nga Pekini”, deklaroi ai.Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, Serbia ka për qëllim që në aspektin gjeostrategjik të ndryshojë rrjedhën e Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, sa i përket Kosovës, ai tha se deri tani mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur ndonjë progres të përafrimit të qëndrimeve për njohje reciproke dhe kjo mund të cenojë integritetin territorial të Kosovës, përmes strukturave kriminale, të cilat Serbia po i përdor.Ndërkaq, ditë më parë, në deklaratën e tij, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Serbia ndodhet në një lloj paniku dhe ka frikë se mund të ngelet vetëm. Kreu i Qeverisë shtoi se armatosja e tyre s’është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por qytetarët janë të sigurt.“Jemi të brengosur, jemi të kujdesshëm, mirëpo nuk frikësohemi. E dimë që i kanë 42 baza ushtarake rrotull kufirit me Kosovën, që është kufiri më i gjatë, dhe rrotull i kanë 42 baza ushtarake ofensive. Por, pavarësisht kësaj, ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO është tek ne. Kosova dhe NATO janë pjesë të historisë së njëra-tjetrës, të së tashmes së njëra-tjetrës dhe të së ardhmes. Me investimet që po bëjmë me bashkëpunimin me aleatët tanë, besoj që edhe territori, edhe shteti, edhe qytetarët janë të sigurt”, tha ai.Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar Beogradin kundër furnizimit me sistemet kundërajrore HQ-22. Ata thanë se nëse Serbia vërtetë dëshiron që t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, duhet që të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.Serbia zyrtarisht kërkon që të anëtarësohet në BE, veçse ka përforcuar forcat e saj të armatosura me armatime ruse dhe kineze, përfshirë avionë luftarakë, tanke dhe pajisje të tjera.Sipas Associated Press, në Perëndim është frika se armatosja e Serbisë me armë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë këtë shtet drejt një lufte tjetër, veçmas kundër Kosovës.