Gati 2 mijë persona nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e Driton Selmanajt
Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Driton Selamanaj për të pagjeturit bëri bujë në gjithë vendin. Zëra të shumtë kërkuan shkarkimin e tij. Pikërisht pas kësaj deklarate në internet ka nisur një peticion online për shkarkimin e Selamanaj.
Ky peticion i cili ka nisur mbrëmë, deri sot në mëngjes është nëshkruar nga gjithsej 1 mijë e 761 persona.
Selmanaj dje ka folur rreth çështjes së të pagjeturve dhe përplasjeve që kanë ndodhur në seancën e djeshme, për të cilët ka thënë se është i lodhur me qasjen e e përdorimit të personave të zhdukur për një grusht vota.
Në arsyetimin e këtij peticioni thuhet se Kosova ende vazhdon të jetojë në terrin e të pagjeturve.
“Ende mbetet plagë e hapur mos vënia e drejtësisë për krimet e masakrat, për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Andaj si qytetarë, si familjarë të personave të pagjetur, të atyre të vrarë, të grave viktima të dhunës seksuale dhe gjithë atyre që kanë parë krimet me sy dhe kanë përjetuar masakrat në lëkurën e tyre, jemi thellësisht të indinjuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës Driton Selmanajt. Ky njeri dhe ky emër nuk paraqet person fizik por përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e rrezikshme të kemi në udhëheqje një përfaqësues që i konsideron çështjen e të pagjeturve, masakrat dhe krimet e kryera në Kosovë si çështje që është konsumuar dhe ezauruar. Prandaj, ky peticion është protesta jonë!”, thuhet në të.
Organizuesit e peticionit u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të nënshkruajnë peticionin përmes së cilit kërkohet nga kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti shkarkimi i Driton Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit.
“Ndërsa Driton Selmanaj e ftojmë të japë dorëheqje nga çdo pozitë zyrtare në institucionet e Republikës. Ti nuk më përfaqëson!”.