Gazetarët bojkotojnë konferencën e ministres Hajdari në shenjë proteste për rastin e Klan Kosovës

                         Gazetarët kanë bojkotuar konferencën për media të Ministres Rozeta Hajdari në shenjë proteste për rastin e Klan Kosovës. Konferenca e cila ishte paraparë të fillonte në ora 14:00, filloi rreth 15 minuta më vonë dhe gazetarët u larguan nga salla sapo Ministrja Hajdari filloi të flasë për rastin e Klan Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Ndër të tjera ajo e nisi fjalimin duke thënë se pezullimi i certifikatës së biznesit për Klan Kosovën nuk ka për qëllim të kufizojë lirinë e medieve “E kuptoj shqetësimin e juaj sidomos të punonjësve medial por dua t’ju siguroj se pezullimi i certifikatës nuk e ka për qëllim të kufizojë apo të cenojë lirinë e mediave”, tha ndër të tjera Hajdari.Më 28 korrik, MINT e ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës, duke e lënë në fuqi pezullimin e certifikatës së biznesit.Komuniteti i gazetarëve protestuan dje  në Prishtinë nën moton “Demokracia vdes në errësirë” në mbështetje të televizionit Klan Kosova. Rreth këtij rasti ka pasur reagime të shumta.Të shqetësuara për këtë rast janë shprehur vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.