Gazetarët kërkojnë që të jenë prioritet në vaksinimin kundër COVID-19

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka paralajmëruar se do t’i drejtohet institucioneve kompetente, në mënyrë që gazetarët në Kosovë, të trajtohen me prioritet kur është në pyetje imunizimi i tyre kundër koronavirusit.   Për dallim nga Kosova, disa shtete të rajonit veç kanë nisur që të imunizojnë punonjësit e mediave. Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli tha për Radion Evropa e Lirë, se janë në kontakt me autoritetet përkatëse dhe siç tha ajo, shpejt do të bëjnë kërkesë që edhe gazetarët të futen në listën me prioritet për vaksinim.“Që nga kjo javë, e ndoshta edhe nga sot, do ta drejtojmë kërkesën te Ministria e Shëndetësisë që edhe kolegët tanë të jenë në listën prioritare duke pasur parasysh që ata kanë qenë në vijën e parë të frontit sa i përket luftimit të kësaj pandemie. Dhe do të shohim se a do ta kemi mirëkuptimin që edhe kolegët tanë të jenë në listën prioritare”, tha Begolli.Begolli tha se ka qenë edhe rekomandim i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarët që gazetarët të vaksinohen të parët duke pasur parasysh me rrezikun që përballen ata. Por, deri më tani, shton Begolli, vetë gazetarët nuk kanë pasur ndonjë kërkesë që të vaksinohen kundër koronavirusit.“Mirëpo, kjo nuk është arsye që ne mos të bëjmë një kërkesë të tillë tek institucionet përkatëse, për arsye se e dimë me saktësi se çfarë pune bëjnë kolegët tanë dhe sa janë të rrezikuar në terren nga kjo pandemi”, tha ajo. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha për Radion Evropa e Lirë se deri tash nuk ka pasur ndonjë ndryshim në planin e vaksinimit, por sipas tij, gazetarët duhet të jenë ndër të parët që duhet të vaksinohen.“Ne nuk kemi bërë asnjë ndërhyrje në planin aktual të vaksinimit. Në momentin e parë, unë e marr përsipër që të flas më të gjithë akterët që edhe ju si kategori e rrezikuar, normalisht shumë e rrezikuar, që të jeni në këtë plan. Mirëpo, për momentin nuk mund të ju them asgjë pa ardhur kontingjenti tjetër i vaksinave dhe pa biseduar me komitetin për vaksinim që e kanë bërë planin”, tha ministri Vitia.Bujar Vitija, gazetar në gazetën “Shneta”, i cili përcjell kryesisht sektorin e shëndetësisë, konsideron se në grupin e më të rrezikuarve nga infeksioni duhet të jenë edhe gazetarët, për shkak të punës së tyre në raportimin për pandeminë.“Gazetarët kanë qenë në front gjatë gjithë kohës dhe kësisoj iu kanë mundësuar institucioneve dhe qeverisë që të menaxhojnë më lehtë pandeminë, duke sjell informata për qytetarët, duke i vetëdijesuar ata për rrezikun nga infeksioni dhe mënyrat se si duhet të mbrohen nga koronavirusi. Mendoj se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të kishte parasysh punën e gazetarëve”, thekson Vitija.Vitija thotë se AGK-ja duhet të ndërmarrë nisma që sa më parë që të mundësohet vaksinimi i gazetarëve.“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të duhej të kishte një nismë, një kërkesë zyrtare për Ministrinë e Shëndetësisë, që t’ju mundësohet gazetarëve të Kosovës të kenë qasje në vaksinimin”, shtoi Vitija.Shtetet e rajonit, megjithatë janë duke i vaksinuar gazetarët.Shqipëria ka filluar vaksinimin e gazetarëve të terrenit më 2 prill, e një ditë më vonë ka nisur vaksinimin edhe të punonjësve të policisë. Në këtë shtet, vaksinimi kundër COVID-19 ka nisur më 11 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *