Gjenden mbetje mortore në Prizren
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lagjen Tusuz të Prizrenit janë gjetur mbetje mortore të premten e që potencialisht mund të jenë të viktimave të luftës. Sipas Komisionit, gërmimet në këtë lokacion kishin nisur sot në vazhdën e atyre më herët në tri lokacione në hapësirat e varrezave të qytetit të Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”. “Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, thuhet në njoftimin e komisionit. Lokacioni në Tusuz të Prizrenit është lokacioni i trembëdhjetë i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa i shtati me gjetje të eshtrave.