Gjermania ia hap rrugën Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës

                         Gjermania e njeh Kosovën dhe do të votojë për pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare, ka thënë emisari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, që ia ka hapur rrugën Kosovës për aplikim për pranim në Këshillin e Evropës, pas suspendimit të përkohshëm të Rusisë.Në intervistën e parë pasi mori detyrën, Sarrazin ka thënë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se Gjermania është shtet që e mbështet plotësisht pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përcjell Deutche Welle.Pas suspendimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës janë shtuar gjasat që me dy të tretat e shumicës në këtë organizatë të votohet pro pranimit të Kosovës në të. “Gjermania e ka njohur Kosovën. Pa diskutim që jemi pro shtetit që e njohim, që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë ai duke shtuar se i takon Prishtinës të vendosë se kur është koha e duhur për të aplikuar.Ai ka kritikuar Serbinë që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, si vendi i vetëm në Evropë krahas Bjellorusisë. Ka thënë se “s’është kohë për të qenë i pavendosur”.“Është në interes të Serbisë për të qartësuar pozicionin”, ka thënë Sarrazini.Sarrazini ka shprehur besimin se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.E ka quajtur interesant debatin mes ekspertëve nëse duhet të përshpejtohen hapat për procesin e zgjerimit të BE-së në kohën e luftës në Ukrainë. Megjithatë ka thënë se këto ide s’duhet të çojnë në dobësim të procesit të zgjerimit. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që BE-ja t’i përmbahet procesit të anëtarësimit me synim për pranim të plotë, sepse s’bëhet fjalë vetëm për integrim ekonomik, por për anëtarësim si bashkësi vlerash”, ka thënë ai.Pos Gjermanisë, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor kanë edhe Bashkimi Evropian me Miroslav Lajçakun, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Gabriel Escobarin dhe Britania e Madhe me Stuart Peach.Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 1949. Aktualisht i ka 47 shtete anëtare me popullatë rreth 820 milionë banorë e buxhet vjetor prej 500 milionë eurosh.Presioni për aplikime për pranim në organizata ndërkombëtare dhe në NATO është shtuar ditëve të fundit që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës dhe Serbia vendosi të mos e sanksionojë sikur shtetet perëndimore.