GJYKATA SPECIALE ËSHTË TURP NDËRKOMBËTAR KUNDËR UÇK-së-Shkruan;Prof.Mehdi Krasniqi,poet.

Gjykata Speciale nuk është simbol i drejtësisë, është turp i padrejtësisë. U ngrit duke injoruar e nëpërkëmbur realitetin historik të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte kurrë projekt kriminal, as ndërmarrje e përbashkët kriminale, por domosdoshmëri historike kundër dhunës, spastrimit etnik, dhe domosdoshmëri e fitores së lirisë së popullit tonë.

Trajtimi i çlirimtarëve si objekt dyshimi kolektiv, përbën fyerje dhe poshtërim për sakrificën, për dëshmorët dhe për mijëra civilë të pafajshëm që paguan çmimin e lirisë me gjakun, gjymtyrët dhe jetën. Ndërsa, kriminelët serbë që kanë vrarë e masakruar fëmijë, pleq dhe gra, që kanë përdhunuar vajza dhe gra, jo vetëm që nuk u dënuan kurrë (madje as kryekasapi serb Sllobodan Millosheviq nuk u dënua, ndërsa vdiq në burg në proces gjyqi), por u graduan, u nderuan dhe sot mbajnë poste të larta shtetërore, përfshirë edhe presidentin e Serbisë (dikush duhet t’i hapë sytë dhe ta shikojë “sniper safari”). Krimet e tyre mbeten pa drejtësi, ndërsa për mijëra shqiptarë të zhdukur nga ushtria serbe askush nuk bën zë.

Pse kurrë nuk u dënuan kriminelët serbë për masakrat në Drenicë, në Malishevë, në Gjakovë, në Pejë, në Reçak e kudo tjetër? Është e thjeshtë përgjigjja: të masakruarit janë shqiptarë dhe vrasësit janë ushtarët serbë. Pse këto krime të dokumentuara, për të cilat ka fakte dhe dëshmitarë (madje disa dëshmitarë as nuk janë intervistuar kurrë, disa kanë vdekur), varreza masive, mbeten pa epilog drejtësie, ndërsa fokusi zhvendoset tek ata që u ngritën për t’u mbrojtur dhe për ta mbrojtur popullin?

Në këtë kontekst, kujt dreqin i duket e drejtë të shohë një çlirimtar në gjykatën speciale, të cilit i shkelen të drejtat elementare njerëzore, merreni me mend, t’i vdesë babai dhe të mos lejohet të marrë pjesë në varrim, për t’u sjellë pas një jave duarlidhur, i rrethuar me policë, pa të drejë fjale me njerëz ? Ndërsa Shesheli mbrohet në liri për krimet e bëra. Shesheli që edhe e shanë e fyen edhe GJND-në nga liria në Serbi.

Çfarë drejtësie është kjo dhe kujt i shërben? I duket dikujt drejtësi ndërkombëtare, drejtësi historike?

Po aq për turp është edhe euforia e disa shqiptarëve që duartrokasin çdo akt të kësaj gjykate dhe presin me padurim dënimin e çlirimtarëve. Edhe më e rëndë është kur dikush e sheh si krenari të bëhet dëshmitar i rremë në një proces që dëmton luftën çlirimtare, duke dëshmuar në favor të Serbisë dhe në dëm të atyre që u ngritën, u sakrifikuan për liri. Merreni me mend: kishte dëshmitarë që flisnin për kafshë e për dru mali, dhe të atillë kishte, që donin ta shfajësonin prezencën e tyre në rolin që tashmë kishin. Është turp përtej turpit.

Prandaj, në një fazë të mëvonshme, organet kompetente të Kosovës duhet të hetojnë në detaje, nga A-Zh, fenomenin e dëshmitarëve të rremë, jo vetëm në këtë proces selektiv, por në përgjithësi. Ata duhet të ndiqen penalisht dhe të japin llogari, sepse dëmi që shkaktojnë nuk është dëm apo “fitore” ndaj individëve të caktuar, por dëm i drejtpërdrejtë ndaj luftës për liri, ndaj së vërtetës historike dhe ndaj vetë historisë së kombit.

Heshtja ndaj kësaj dukurie është bashkëfajësi morale e përgjegjësve kompetentë të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Drejtësia selektive nuk është kurrë drejtësi. Ajo është plagë mbi plagët. Ajo shkelmon kujtesën kolektive dhe e zhvesh drejtësinë nga çdo legjitimitet moral e njerëzor.

Padrejtësia nuk është rastësi në këto rrethana. Ajo ka emra dhe përgjegjësi. Pa votën dhe heshtjen e deputetëve tanë që e miratuan këtë gjykatë, pa servilizmin politik të atyre që e shisnin si “domosdoshmëri ndërkombëtare”, kjo plagë nuk do të hapej. Po aq përgjegjësi mbajnë edhe dëshmitarët përfitues, ata që për interesa personale, famë apo përfitime të tjera, zgjodhën të dëmtojnë luftën për liri dhe të ushqejnë narrativën e agresorit.

Hallkat e fajit vazhdojnë edhe me disa gazetarë e media të dyshimta, televizione që për vite me radhë i dhanë hapësirë njollosjes së luftës çlirimtare, duke e relativizuar të vërtetën dhe duke i dhënë zë propagandës së Serbisë nën petkun e “analizës profesionale” dhe “neutralitetit”.

Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor, por provë e rëndë për ndërgjegjen tonë kolektive. Kush hesht, mban përgjegjësi. Kush duartroket, e legjitimon padrejtësinë. Dhe kush e quan këtë drejtësi, pranon që historia të rishkruhet në kurriz të gjakut dhe sakrificës së secilit që humbi pak apo gjithçka për këtë copë atdheu.

Me këtë gjykatë speciale që gjykon viktimën, askush nga shqiptarët nuk do të pajtohet kurrë. Sepse drejtësia që fillon duke njollosur luftën për liri, përfundon duke e mohuar dhe varrosur të vërtetën dhe duke shkruar një histori të rremë mbi historinë e përgjakshme dhe të vërtetë të popullit tonë.

©️Mehdi Krasniqi