GJYKATA SPECIALE KONFIRMON SE KA NISUR ARRESTIMET NË KOSOVË – SALI MUSTAFA U DËRGUA NË PARABURGIM NË HAGË
Zyra për media e Gjykatës Speciale e ka konfirmuar, arrestimin e Salih Mustafës, ish-pjesëtar i UCK-së.
Sipas njoftimi, Mustafa është duke u transferuar në Hagë ku do të mbahet në paraburgim, shkruan Reporteri.net.
Njoftimi:
Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Z. MUSTAFA po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.