Gjykata Speciale riaktivizohet, ish-komandanti Sadik Halitjaha merr ftesë për intervistim
Ish-komandanti i UÇK’së, Sadik Halitjaha ka marrë ftesë për t’u lajmëruar sot te organet e Gjykatës Speciale në Hagë.Ai përmes një deklarate dërguar Radio Kosova e Lirë, ka deklaruar edhe atë do ta bashkojnë me të ashtuquajturën “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.Ende nuk dihet se në çfarë cilësie është i ftuar Halitjaha.
Deklarata e plotë e Sadik Halitjaha:
Ju njoftoj, se mua, Sadik Halitjahës, komandant i ZOP, më ka ardhur thirrja nga Gjykata Speciale, në Hagë! Me siguri do të më bashkojnë në të ashtuquajturën, “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, sikur ata e trajtojnë ish-UÇK-në dhe krerët e saj, tash për tash ndërmarrja e tillë ma e madhja në Evropë, me 46 mijë 476 pjesëtarë, veteranë të saj.
Me këtë rast, kuptohet fajësimi kolektiv i UÇK-s! Ju ka mjaftuar një shpikës i mashtrimit të madh, nga Dick Marty për të themeluar këtë gjykatë të kërkuar nga Serbia e Rusia duke qenë të dominuar në Këshillin e Evropës nga sllavët.Që tani doli sheshit ky mashtrues!Tani Prokuroria e Gjykatës Speciale shpiku pseudo-etiketimin si Ndërmarrje e përbashkët Kriminale-!!! Gjithë njerëzimi e di se luftërat janë ngjarje edhe me gabime, por kur janë në mbrojtje, çlirimtarët hyjnë në to si domosdoshmëri që i parashohin Konventat ndërkombëtare, si ajo e Gjenevës për të drejtat në Luftë!Mjafton vetëm ta sillni ndër mend se çka ka bërë Shteti serb, me ushtri polici e paramilitarët! Duke mos respektuar as një normë ndërkombëtare as një ligj e traditë lufte, as një konventë të paraparë për të drejtat në luftë! Serbia dogji e shkrumboi çdo gjë mbi tokën tonë. Vrau 1384 fëmijë nga ata me biberon në dorë deri në 13 vjeç! Vrau gra shtatzëna dhunoi me mijëra!Serbia vrau shqiptarë pa dallim moshe mbi 13 mijë e 500 civilë pleq e gra, të pa armatosur, njerëz të pa fuqishëm, madje edhe me paralizë dhe në shtrat!Serbia bëri gjenocid, etnocid, bëri krime kundër njerëzimit, krime ekonomike. grupore e kolektive bëri mbi 300 masakra vetëm në Kosovë e sa qindra të tjera në Bosnje-Hercegovinë e në Kroaci. Krejt kjo me katër luftërat që beri Serbia, sikur po shpërblehet nga Evropa me investime, nga Rusia e Kina me armatime!Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka luftuar tinës, nuk ka marrë veprime vrastare kundër popullatës serbe. Ne në UÇK nuk dogjëm shtëpi serbësh nuk vramë asnjë fëmijë serb, nuk dhunuam asnjë femër serbe, Luftuam në Kosovë, në vendin tonë, jo ne Serbi!Pse pra u dashka të na ndjekin, të na burgosin, të na arrestojnë, a vetëm pse këtë e kërkon dhe e dëshiron Serbia? thuhet në fund të deklaratës së Sadik Halitjahës, i ftuar sot nga Gjykata Speciale.