Gjykimi i Muhamet Alidemajt për masakrën në Izbicë, dëshmitari rrëfen për vrasjen e babait, kufoma e të cilit u gjet në Serbi

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatësS.H., i cili ishte 11-vjeçar kur përjetoi masakrën e Izbicës, ku mbeten të vrarë 130 persona, u dëgjua sot në cilësinë e dëshmitarit.Para trupit gjykues me kryesues Vesel Ismailin, S.H. rrëfeu se si i kishte mbijetuar masakrës në të cilën i ishte vrarë i ati nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.“Fshati u rrethua nga katër anët nga forcat paramilitare serbe, i kanë grumbulluar të gjithë banorët e fshatit dhe i kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe na kanë urdhëruar të shkojmë në Shqipëri, kurse burrat i kanë ndalur aty” – u shpreh ai.Tutje, në pyetjen e prokurorit special, Ilir Morina, ai është përgjigjur se si ka shpëtuar nga ndalimi bashkë me burrat e tjerë.“Nëna ma ka vendosur një shami në kokë që të mos dukem se jam djalë” – tha dëshmitari.S.H. gjithashtu ka deklaruar se trupi i të atit të tij është zhvarrosur prej forcave serbe me ekskavator dhe se eshtrat e tij ishin gjetur në Batajnicë, në Serbi, në vitin 2004.Mirëpo, në pyetjen që kishte të bënte me faktin se a e njihte ai të akuzuarin apo a kishte dëgjuar për të, dëshmitari u përgjigj se nuk e njihte.Në seancën e sotme pritej të dëgjoheshin edhe katër dëshmitarë të tjerë, por ata nuk prezantuan në sallën e gjykimit.Ata pritet të dëgjohen në seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet më 22 maj.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.I njëjti sipas aktakuzës me 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi./kallxo.com