Gjykimi për shpërthimin në Zhur/ I akuzuari thotë se është rrahur nga policët
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Iran Badalli ka thënë se deklaratën në Polici e ka dhënë pa mbrojtës dhe se është rrahur nga policët.“Mua policia më ka pyet për bombë, për eksploziv nuk më kanë pyetur. Qysh më kanë vetë qashtu po deklaroj se ata qysh e kanë shkru nuk e di, se unë nuk kam pasur as avokat”, ka thënë i akuzuari Badalli. Duke u përgjigjur në pyetje të përfaqësuesit të të dëmtuarit Artur Mrasori, avokatit Besnik Berisha, i akuzuari Badalli ka treguar se nga hetuesia është pyetur dhe se ata i kanë thënë që i njëjti e ka vendosur bombën në derë.Ai tha se nuk qëndron pranë atyre deklaratave, me arsyetimin se të njëjtat i ka dhënë me detyrim.Avokati Berisha ka pyetur të akuzuarin Badalli se përse e mohon prezencën e avokatit Ilir Rashiti, pasi që sipas tij i njëjti e kishte shoqëruar në intervistën e 26 janarit 2020.Mirëpo, këtë e ka mohuar përsëri i akuzuari Badalli, duke thënë se avokatin e caktuar sipas detyrës zyrtare, e ka parë vetëm në Prokurori, por nuk e di se kush është ai.Tutje, Badalli ka treguar se policia i kanë thënë se bombë kishte pasur në derë, se është pyetur nga kush është vendosur aty, e që nga të njëjtit është rrahur në shtëpi, në veturën e policisë dhe në stacion policor.I akuzuari Badalli ka thënë se pas 3-4 javësh pasi është arrestuar Arben Gashi, ka kuptuar se kishte qenë eksploziv dhe se këtë e kishte kuptuar nga një oficer në Burgun e Dubravës.I njëjti, ka deklaruar se për ditën që kishte qenë i akuzuari Gashi (shoku i tij) në shtëpinë e tij në katin e dytë, e kishin njoftuar fëmijët.Tutje, i pyetur nga avokati Berisha se përse nuk e ka deklaruar këtë fakt në deklarimet e mëhershme, Badalli ka thënë se e ka pasur shok dhe nuk e ka pritur që i njëjti t’ia bëjë këtë imponim.Mirëpo, sipas Badallit këtë e ka kuptuar pas 3 jave pasi që kishte kuptuar se ekpslozivi ka shpërthyer në shtëpinë e tij.Badalli ka treguar për raportet që kishte me të akuzuarin Gashi, me ç’rast ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur konflikte me të njëjtit dhe ka pohuar se atë e njeh rreth 13 vite më parë.Në fund, ai ka thënë se Valbon Çollakun e ka parë dy herë nga 10 minuta në vitin 2020, duke mohuar se ka pasur ndonjë konflikt, sharje, fyerje apo pazare me të.Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi seancën e sotme e ka ndërprerë me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Badalli, avokatit Valdrin Gashi. Kurse, seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 28 mars dhe 13 prill 2023.Ndryshe, sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi