Gjyqi për fajde, Afrim Muçiqi jep dëshminë e tij para gjykatës, seanca mbyllet për publikun

                           Është mbyllur për publikun deklarimi i të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, Afrim Muçiqi, në gjykimin ndaj Dalip Brahimit, Lulzim Berishës, Ismet Salihut, Bujar Gërbeshit dhe Rrahim Brahimit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, fajde dhe vepra tjera penale.Aktakuza thotë se të akuzuarit, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarve, iu kishin dhënë para me fajde, të cilët ishin detyruar që në emër të kamatës të paguajnë shuma të mëdha, të cilat tejkalojnë shuma milionëshe, raporton “Betimi për Drejtësi”.Në seancën e së martës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, deklaroi se gjykata ka pranuar një parashtresë nga dëshmitari Afrim Muçiqi, më të cilën i njëjti ka kërkuar që të përjashtohet publiku gjatë deklarimit të tij.Gjykatësja Gërguri shtoi se pas vlerësimit të kësaj kërkese, trupi gjykues ka marrë aktvendim me të cilin ka mbyllur për publikun shqyrtimin gjyqësor, në pjesën ku do të dëgjohet i dëmtuari Muçiqi.Në këtë rast, për bixhoz të paligjshëm janë akuzuar edhe Ismet Salihu e Alban Geci, por ata janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, pasi e kanë pranuar fajësinë. Të akuzuarit Alban Geci, në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër e dënimit i është zëvendësuar me 3 mijë euro gjobë.Sipas aktakuzës së ngritur më 8 maj 2019, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri më 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare u kishin dhënë para me fajde të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender Blakqori dhe Besim Beqiri.Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Bejtush Zhugolli, në gusht 2008, shkurt dhe korrik 2010, nga i akuzuari Dalip Ibrahimi kishte marrë gjithsej shumën prej 165 mijë e 914 euro, kurse i dëmtuari Zhugolli i kishte kthyer përmes transaksioneve bankare 599 mijë euro, kurse për pjesën tjetër të mbetur borxh i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve Bejtush dhe Ilmi Zhugolli një lokal me çmim 167 mijë euro, tre banesa në vlerë prej 146 mijë e 805 euro, një veturë “Mercedes”, e cila pasuri që i është marrë të dëmtuarit Bejtush Zhugolli, tejkalon shumë prej një milion euro.Ndërkaq, thuhet se i akuzuari Dalip Brahimi, me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të parave, së bashku me të dëmtuarin Bejtush Zhugolli kishin nënshkruar një kontratë te noteri, kinse i akuzuari Dalip Brahimi i shiste të dëmtuarit Zhugolli një parcelë në shumë prej 1,001,200.00 euro, edhe pse këtë pronë i akuzuari e kishte blerë në vlerë prej 100 mijë euro.Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit para në shumë të ndryshme me përqindje prej 5-15% i kishin dhënë edhe të dëmtuarit Skënder Blakqori dhe në momentin kur ai nuk kishte arritur të kthejë kamatën, i akuzuari Dalip Brahimi përmes të dëmtuarit Bejtush Zhugolli dhe një personi me emrin Ekrem Leci, e kishin detyruar Blakqorin që të nënshkruajë një kontratë për shitblerjen e banesës në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në sipërfaqe prej 161.81 metra katror dhe të njëjtat para që i dëmtuari Blakqori i kishte marrë nga shitja e banesës, e kishin detyruar që t’ua paguajë “borxhet” atyre.Në aktakuzë thuhet se kjo patundshmëri ishte regjistruar në emër të Dalip Brahimit, ndërsa i dëmtuari Blakqori gjatë periudhës kohore 2010-2019, kishte marrë para me fajde nga i akuzuari Gërbeshi, i cili përveç parave që i kishte marrë në emër të fajdesë, ia kishte marrë edhe një banesë në lagjen “Mati 1”, në sipërfaqe 86.16 m2.I dëmtuari Jakup Blakqori, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010 kishte kontaktuar me vëllanë e tij Skënderin, i cili i kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi do t’i sjell 15 mijë euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar dhe me të arritur i akuzuari Gërbeshi tek i dëmtuari Jakup Blakqori, i kishte thënë se 8 mijë e 100 euro do t’i ndalë në emër të kamatës së borxhit të vëllait të tij Skënderit, kurse 6 mijë e 900 euro mund t’i marrë.Kështu, siç thuhet në aktakuzë, i dëmtuari Jakup Blakqori i kishte marrë shumën prej 6 mijë e 900 euro dhe për këtë shumë kishte paguar 10 mijë e 500 euro në emër të kamatës.