Grabitet e moshuara në Gjakovë, arrestohet hajni 23-vjeçar që ia mori kuletën me para 

                                  Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën mbrëma, në rrugën “Marin Barleti” në Gjakovë, ku është grabitur një grua e moshuar, e cila u përballë me një të ri, në mes të rrugës. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima u përballë me të dyshuarin, i cili ia zuri pritën dhe ia mori me dhunë kuletën me dhjetëra euro dhe dokumentet e saj. Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, me ç’rast e ka përshkruar se si ndodhi ngjarja në detaje. Sinjali mëson se pasi është vënë në dijeni për rastin edhe Prokurori i Shtetit, janë marrë veprimet e nevojshme, që kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit.  Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë për veprën penale “Grabitje”.