Gratë që (duam të) fitojnë besmin në zgjedhjet komunale!- Shkruan ;Agnesa Thaçi KUREJSHI, juriste dhe veprimtare

Në një shoqëri demokratike pjesëmarrja e grave në jetën politike është tregues i pjekurisë institucionale dhe i nivelit të barazisë sociale. Gratë që do të doja të shihja të fituara në zgjedhjet komunale duhet të mishërojnë kombinimin e integritetit, eksperiencës profesionale si dhe vizionit të qartë për qytetin historik.

Por, fillimisht ato duhet ta njohin qytetin e Prizrenit se si merr frymë….

Në një qytet me trashëgimi të pasur historike, kulturore dhe multietnike, përfshirja e tyre në qeverisjen komunale merr një rëndësi të veçantë si në aspektin e barazisë gjinore ashtu edhe në përmbushjen e nevojave konkrete të qytetarëve.

Gratë që do të arrijnë të fitojnë besimin e qytetarëve në këto zgjedhje duhet të sjellin me vete një përvojë të prekshme mbi jetën e përditshme të qytetit.                                                                                  Përvoja e tyre e përditshme i bën ato më të ndjeshme ndaj çështjeve si p.sh. cilësia e shërbimeve publike, kujdesi për mjedisin, siguria publike, përfshirja sociale dhe përmirësimi i infrastrukturës urbane, në një qytet si Prizreni ku zhvillimi urban shpesh përballet me sfida të tilla si ndotja e lumenjve, mbingarkesa e trafikut, ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe nevoja për hapësira të gjelbra e shumë dukuri të tjera të cilat ne i jetojmë çdo ditë.

Hulumtimet mbi përfaqësimin gjinor në nivel lokal tregojnë se pjesëmarrja aktive e grave rrit llogaridhënien institucionale dhe sjell politika më gjithëpërfshirëse.                                                                                     Për Prizrenin, kjo do të thotë që një numër më i madh i grave në qeverisjen komunale mund të kontribuojë në hartimin e politikave që pasqyrojnë realisht interesat e qytetarëve duke përfshirë grupet më të margjinalizuara e aq më tepër përfshirja e tyre në qeverisjen e qytetit ndihmon edhe në ndërtimin e një kulture demokratike ku diversiteti shihet si aset dhe jo si pengesë.

Gratë që duam të fitojnë besmin në zgjedhjet komunale nuk duhet ta shohin politikën si një mjet për përfitim personal por si një përgjegjësi publike të cilën zotohen që ta ushtrojnë në shërbim të qytetarëve. Prandaj, mbështetja e tyre në zgjedhjet komunale në Prizren nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por edhe një strategji e domosdoshme për zhvillimin gjithëpërfshirës të qytetit.

Ato gra që e njohin mirë Prizrenin, me të gjitha nevojat dhe potencialet e tij, janë të pozicionuara më së miri për të udhëhequr proceset e ndryshimit dhe për të garantuar një qeverisje më të drejtë, transparente dhe efektive.

Le të fitojnë besimin ato të cilat prioritet e kanë interesin e përgjithshëm qytetar!/QendraPress/