Greva vazhdon, SBASHK’u refuzon propozimin e deputetit Ardian Gola  

                              Për grevë në arsim deri më tani janë mbajtur takime të shumta, një ndër to është mbajtur këtë të premte.Ky takim është mbajtur mes anëtarësisë së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBAShK) dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola.Propozimi i Golës që greva të ndërpritet nuk është pranuar nga anëtarësia e SBAShK-ut. Në këtë propozim përfshihej dhe diskutimi për mosvënien e notave, si formë presioni sindikal ndaj qeverisëSekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka thënë se 663 shoqata kanë qenë kundër këtij propozimi, 39 e kanë pranuar, ndërsa 35 të tjera nuk janë deklaruar.“Ka qenë një takim me kryetarët e sindikatave komunale bashkë me kryetarin e Komisionit për Arsim, Ardian Golën dhe disa nga anëtarët e Komisionit. Është diskutuar për propozimin e deputetit Gola dhe rezultati ka dëshmuar që një numër i madh prej 663 shoqatash e kanë refuzuar, 39 shoqata e kanë pranuar, ndërsa nuk janë deklaruar edhe 35 shoqata dhe një komunë nuk e kemi pasur rezultatin sepse kryetari ka pasur pengesa me internet dhe nuk ka mundur të kyçet”, deklaroi Ymeri për Dukagjinin.Sekretari i SBAShK-ut ka shtuar se arsyetimi i shoqatave për refuzimin e propozimit të Golës është se kur të përfundon greva nuk është etike që nxënësit të mos notohen.Ymeri ka rrëfyer se në takimin virtual i kanë lutur deputetët që të vazhdojnë angazhimin për gjetjen e një zgjidhje për fillimin e procesit mësimor.“E vlerësuam që ky takim ka qenë frymë e afrimit me Komisionin për Arsim dhe shpresojmë që deputetët në të ardhmen të bëjnë përpjekje përsëri për ta gjetur një zgjidhje”, ka thënë tutje Ymeri.Në vazhdën e diskutimeve në Komisionin e Arsimit, kryetari i Komisionit të Arsimit, Ardian Gola nga radhët e VV-së, ka propozuar që të ndryshohet forma e grevimit.

Propozimet e Golës ishin që fëmijët të kthehen në shkollë derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare dhe të mos vendosen notat për nxënësit si formë e presionit sindikal.Propozimet e tij kanë mbetur që të shqyrtohen nga anëtarësia e SBAShK-u.“Derisa të bëhet një zgjidhje përfundimtare, fëmijët të kthehen në shkollë, të mos vendosen notat dhe jam shumë i sigurt që gjatë ditëve do të gjendet një zgjidhje”, ka deklaruar ai.Gola ka thënë se presioni sindikal të bëhet ndërmjet mosvendosjes së notave, por fëmijet e mësimdhënësit të kthehen në shkolla.