“Grurin tonë s’e duan”: Fermerët kosovarë thonë se Serbia mbush tregun me grurë të vjetër

Dhjetëra fermerë kosovarë – prodhues të grurit – u nisën të mërkurën drejt Prishtinës, për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Arsyeja? Çmimi i ulët – vetëm 17-18 centë për kilogram grurë – që, sipas tyre, u është caktuar nga mullisët vendorë, njëherësh blerësit kryesorë të prodhimeve të tyre.
“Po protestojmë për çmimin dhe për pisllëqet që janë duke i bërë, kryesisht mullisët”, tha Genc Mazreku, fermer nga Malisheva, për Radion Evropa e Lirë.
Shumë prej kolegëve të tij, që u nisën drejt Prishtinës me traktorë, u ndaluan nga policia dhe nuk u lejuan të hyjnë në qytet, pasi protesta nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht tek autoritetet, siç e kërkon ligji.
Mazreku tha se ka të mbjellë rreth 60 hektarë me grurë dhe se sivjet pret një rendiment prej afro 4 mijë kilogramësh për hektar.
Por, çmimi që po ofrohet nga mullisët, sipas tij, është tejet i ulët.
Ai e lidh këtë situatë me importin e “grurit të vjetër” nga Serbia, që, sipas tij, ndikon negativisht në tregun vendas dhe vlerën e prodhimit të fermerëve kosovarë.
“Çdo vit, kur vjen qershori, këta mullisë shkojnë dhe i pastrojnë ‘mbeturinat’ (e grurit) në Serbi dhe i sjellin në Kosovë. Gruri i para pesë vjetëve, i rezervave të Serbisë, vjen në Kosovë dhe e hanë shqiptarët. Grurin që korret këtë vit (në Kosovë), nuk e merr askush… ose të thonë 17 centë, 16 centë, si të kenë qejf”, u shpreh Mazreku i revoltuar.
Të dhënat nga Dogana e Kosovës konfirmojnë se Serbia është një prej vendeve kryesore prej nga importohet gruri në Kosovë.
Në periudhën janar-maj të këtij viti u importua grurë në vlerë prej rreth 7.9 milionë eurosh.
Pjesa më e madhe – mbi 7.2 milionë euro – u importua nga Serbia, ndërsa të tjerat nga Hungaria dhe Kroacia.
Radio Evropa e Lirë pyeti Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për vitin e prodhimit të grurit të importuar këtë vit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Mazreku tha se mullisët e kanë rritur këtë vit edhe tarifën e ujemit – nga 18 për qind, sa ishte vitin e kaluar, në 24 për qind.
Ujemi është sasia e grurit që mullisi e mban për vete si kompensim për bluarjen.
Kjo do të thotë se për çdo 1.000 kilogramë grurë që fermeri sjell për bluarje, mullisi i merr 240 kilogramë.
“Bujkun e shkelin ku të munden. Ne nuk kemi ku t’i lëmë rezervat”, tha Mazreku.
Të njëjtin shqetësim ndau edhe Sali Ilazi, fermer nga komuna e Ferizajt.
Ai ka të mbjellë 127 hektarë me grurë, të cilin e vlerëson si të cilësisë së lartë.
“Vjet na e kanë paguar 20 centë. Tash është 18 centë. Me këtë çmim të grurit, ne nuk mund të mbulojmë (koston e prodhimit)… Çmimi real duhet të jetë 22 deri në 23 centë. Por, pse ta marrin grurin tonë, kur mund ta marrin nga Serbia… E, ai është i dorës së fundit”, sipas Ilazit.
Bashkëvendësi i tij, Aziz Halili, i cili ka të mbjellë rreth gjashtë hektarë me grurë, u shpreh gjithashtu i pakënaqur me çmimin që ofrohet nga mullisët.
Ai e konsideron atë të padrejtë, sidomos në raport me rritjen e çmimit të bukës.
“Shoqatat e mullisëve dhe bukëpjekësit fitojnë, e prodhimi ynë, që është kryesori, shkelet”, sipas Halilit.
Në protestë ishte edhe Ferat Xhaka nga Podujeva.
Ai tha se në komunën e tij, mullisët as që pranojnë t’ia blejnë grurin.
“Nuk e marrin fare. Kanë gjetur alternativa tjera, po e sjellin nga Serbia. Doganë ka pak për grurë dhe për këto produktet e bujqësisë. Neve na shkelin”, tha ai.
Si caktohet çmimi?
Kosova nuk ka një bursë për çmimin e grurit, prandaj mullisët bazohen në çmimet rajonale, thonë nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.