Hadergjonaj e quan Specialen gjykatë qesharake: Emrin tim e keni gjetur mbi një dëshmi të rrejshme
Safete Hadergjonaj, ish-deputete e PDK-së, ka deklaruar në dëshminë e saj gjatë procesit gjyqësor të Pjetër Shalës se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë ftuar të dëshmojë bazuar në një dëshmi të rreme.
Ajo u shpreh këmbëngulëse se çdo akuzë kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së është e fabrikuar dhe se ata kanë luftuar një luftë të drejtë dhe të pastër.
Në një deklaratë të dhënë në gjykatë të mërkurën, Hadergjonaj ka bërë të qartë se nuk e dinte pse emri i saj ishte përzgjedhur për dëshmi dhe sfidoi legjitimitetin e gjykatës si të influencuar nga sajesat e Shërbimit Sekret Serb.
“Çdo dëshmi e cila është dhënë për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë bë luftë të pastër dhe të drejtë, është dëshmi e fabrikume… Unë jam e ulun këtu mbi një dëshmi të rrejshme që e kuptova sot këtu se unë nuk e kam ditë pse kam ardhë në Hagë këtu”, tha ajo.
Ajo i ka vlerësuar heroikë luftëtarët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe i ka quajtur akuzat ndaj tyre si të motivuara politikisht dhe pa baza të drejtësisë.
“Janë të motivuara politikisht, Serbia po vazhdon edhe më tutje luftën speciale kundër Kosovës dhe sajesat e shërbimit sekret serb po diskutohen edhe këtu. Pyetja të cilën ju ma bëtë për Fitnete Ramosën, ma kanë bë policia që më kanë arrestu gjatë luftës në qendrën e policisë në Pejë dhe është për keqardhje që ma bëni mua një pyetje të tillë për një grua e cila sot nuk është e gjallë dhe nuk jeton”, tha Hadërgjonaj.
Gjatë seancës, Hadergjonaj hodhi poshtë çdo mundësi për njohjen e akuzave ndaj Salih Mustafës, duke theksuar mospajtimin e saj me procedurat e gjykatës, të cilat ajo i sheh si të njollosura nga manipulimet e Beogradit dhe rrjedhësisht të pavlefshme.
Prokuroria ka përfunduar seancën e pyetjeve me të, por dëshmia e Hadergjonaj pritet të vazhdojë edhe në ditën në vijim.
Në të njëjtën kohë, Pjetër Shalës, i cili gjykohej në këtë seancë, u mohua mundësia për të folur në gjykatë nga kryetarja e trupit gjykues, duke i lënë hapësirë për reagim nesër pas konsultimeve me avokatin e tij mbrojtës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurores Gaia Pergiolo ka përfunduar pyetjet për këtë dëshmitare, mirëpo dëshmia e saj do të vazhdojë edhe ditën e nesërme./