Hajrullahu: Gazetarët po rrezikohen në veri, duhet të ketë reagime nga partitë politike dhe OJQ-të

Kryeredaktori i portalit Telegrafi, Muhamet Hajrullahu, ka thënë kolegët e tij po synojnë të raportojnë në mënyrë profesionale nga veriu i Kosovës, por ka shprehur disa pakënaqësi në lidhje me mungesën e reagimeve të ndjeshme dhe të fuqishme nga ana e Kosovës ndaj sulmeve të ndodhura.

Ai ka theksuar se disa reagime ishin shumë diplomatike dhe mendon se duhet të ketë përgjigje edhe nga partitë politike dhe liderët e tyre, si dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, të cilat merren me median dhe marrin fonde dhe donacione.

Gjithashtu, ai ka vlerësuar se edhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si OSBE-ja, duhet të jenë më aktive dhe të tregojnë hapur se gazetarët e të gjitha komuniteteve po pengohen gjatë raportimit.

“Kolegët tanë po synojnë të raportojnë në mënyre profesionale. Mua pak po më pengon që ka reagime shumë të pakta edhe të vobekta nga ana e Kosovës ndaj këtyre sulmeve. Sepse disa janë shumë diplomatike. Unë po mendoj që këto duhet të ketë reagime edhe nga partitë politike edhe liderët e partive politike. Edhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, që merren me media dhe përfitojnë fonde donacione duhet të jenë më të zëshëm. Organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si OSBE-ja, duhet të jenë më të zëshëm. Duhet ta thonë haptas që gazetarët e të gjitha komuniteteve po pengohen”, ka thënë ai.