Halimi, LDK: Kryeministri sorollatet poshtë e përpjetë, e tash e 45 ditë Qeveria pa Ministër të Shëndetësisë 

                        Zëdhënsja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë se ka 45 ditë që Qeveria Kurti është pa Ministër të Shëndetësisë, por siç thotë ajo kjo nuk është hera e parë që po ndodh një gjë e tillë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Përmes një shkrimi në Facebook, Halimi ka thënë se “Kryeministri po sorollatet poshtë e përpjetë” e ndërsa nga vendi kanë ikur 191 mjekë.“S’ka rritje të pagës për mjekët që kanë mbetur, që nënkupton se ka heqje dorë nga luftimi i motivit të tyre për të ikur. As Ligji i Pagave s’duket kurrkund në horizont. S’mungojnë veç ministri e mjekët, por edhe barnat esenciale” ka shkruar mes tjerash Halimi.

Postimi i plotë:

Pse s’kemi ministër të Shëndetësisë?

Qeveria Kurti është pa ministër të Shëndetësisë tash e 45 ditë. Por, kjo s’është hera e parë që kjo pozitë u la bosh. Qeveria Kurti ishte pa ministër të Shëndetësisë edhe 45 ditë tjera në vjeshtën e vitit të kaluar. Pra, 90 ditë Qeveria Kurti s’ka pasur ministër për dikasterin më problematik dhe që prek direkt qytetarët e vendit. Kryeministri sorollatet poshtë-e-përpjetë nëpër Evropë, e këtë vit 191 mjekë kanë ikur nga Kosova, atdheu i tyre. Shëndetësisë publike – pra, ajo shëndetësi që na takon të gjithëve, ajo shëndetësi e njerëzve që s’janë të pasur – i rrezikohet ekzistenca.
S’ka rritje të pagës për mjekët që kanë mbetur, që nënkupton se ka heqje dorë nga luftimi i motivit të tyre për të ikur. As Ligji i Pagave s’duket kurrkund në horizont. S’mungojnë veç ministri e mjekët, por edhe barnat esenciale. Mungojnë edhe investimet kapitale për ndërtimin e hapësirave të reja shëndetësore; s’ka as aparatura – madje as mirëmbajtje të tyre kur ato ekzistojnë. Mos të flasim për sigurime shëndetësore, për sistem informativ shëndetësor. Askund, asgjë, asnjë hap! E krejt këto mungesa të pashëndetshme s’janë rrjedhojë e mungesës së buxhetit.

Mbi 700 milionë euro të taksave tona po flenë në arkën e shtetit, dhe po tkurren nga inflacioni. Krejt kjo e ka një shpjegim: Kosova e ka një kryeministër që prioritet i ka videoklipet e udhëtimet e kota. Ndoshta, pas ish-ministrit të shëndetësisë që fluturonte si kryeministri tash, radhën e ka një ministër i shëndetësisë që merret me video-montazha?