Hamiti për Kurtin: Cili njeri me mend në krye do ta kërkonte nënshkrimin e Serbisë për një draft brenda Kosovës?
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që po e kërkon nënshkrimin e Serbisë për draftin e një Asociacioni që është brenda Kosovës.
“Jam habitur me ata që kanë thënë që ky dokument, nëse e kanë pasur për këtë dokument, duhet të jetë ky, është në përputhje me Kushtetutën, nuk krijon fuqi ekzekutive e të tjera. Ky i krijon dhe madje ka referenca për ligje, s’po i quaj fiktive, por sa për sy e faqe, përmenden Ligji i Aplikueshëm. Cili ligj? Preambula 1244 vjen si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit të shkurtit dhe i Aneksit të Ohrit që e ka pranuar Kurti dhe madje është përgjëruar që të nënshkruajë edhe nga Serbia”, ka thënë Hamiti në Klan Kosova.
“Në fund u bë dokument ndërkombëtar sepse e pranoi edhe Kosova, edhe Serbia, dhe tash e kemi kusht si Kosova, si Serbia për integrime në BE. Çka po thotë tash Kurti? Kërkon që të nënshkruhet drafti i Asociacionit nga Serbia? Drafti i Asociacionit për një Asociacion brenda Kosovës që të nënshkruhet nga Serbia? Çka do të thotë kjo? Kush do të kërkonte diçka të tillë me mend në krye? Askush.”
Sipas Hamitit, një draft-statut i tillë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe rrezikon të krijojë një proto-republikë serbe.
“Asociacioni duhet të bëhet, është obligim ndërkombëtar dhe Lidhja Demokratike e ka thënë këtë gjithherë, mirëpo Asociacioni jo me fuqi ekzekutive siç po bën ky draft-statut, madje edhe po të zbutet është aq i qartë që krijon entitet serb brenda Kosovës, politiko-territorial me potencialisht në një situatë të ardhme gjatë një marrëveshjeje unë po them me drojë të madhe s’po e them por po druaj ta them diçka edhe më tej – domethënë një draft-statut i tillë krijon një Proto-Republikë Serbe”.