Haradinaj e ashpërson gjuhën ndaj Kurtit: Po rrëshqet në tradhti 
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka ashpërsuar gjuhën ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se situata në Kosovë po përkeqësohet, e Kurti s’e ka as idenë se çka po ndodh.Haradinaj ka kërkuar që të shfuqizohet vendimi për targat, derisa ka shtuar se nëse Kurti nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, “ai sigurt se po rrëshqet në tradhëti”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë. Nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt se po rrëshqet në tradhëti. Unë s’kam çka i them tjetër përpos që nuk do të lejohet as ai e askush tjetër që ta rrezikojë të ardhmen e vendit. Prandaj ndalu!”, ka shkruar Haradinaj.Ndryshe, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se të shtunën, më 5 nëntor, do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet në veri, përfshirë ato gjyqësore, të policisë dhe në institucione të tjera. Ai po ashtu tha se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.Rakiq tha se ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Listës Serbe me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës. Kjo mbledhje, tha se do të mbahet pas “vendimit të paligjshëm dhe anti-serb” të Kosovës, për suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.Gjuriq u suspendua nga puna më 3 nëntor, një ditë pasi deklaroi se policët në veri nuk do të shpërndajnë letra qortuese për qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron ilegale.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e Kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodhë me vendin e tij!Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë, e jo për populizma që me to t’i shërojë egot e sëmura Kryeministri.Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë.Nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt se po rrëshqet në tradhëti.Unë s’kam çka i them tjetër përpos që nuk do të lejohet as ai e askush tjetër që ta rrezikojë të ardhmen e vendit.