Haradinaj partive opozitare: Të bëhemi bashkë për mocionin tonë, s’ka rrugë tjetër, Qeveria Kurti është fatkeqësi për Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se partitë opozitare nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre, atëherë mbështetja e mocionit i propozuar nga ky subjekt politik, është rruga e vetme.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se ai dhe AAK-ja kanë ofruar një model për dalje nga kjo situatë.

“Ne si Aleancë kemi ofruar një model se si të dilet nga situata e krijuar, që është mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, si mjet mbase tashpërtash i vetmi, për ta ndalur degradimin e mëtejshëm që po i bëhet vendit”, ka thënë Haradinaj.

Adresimi i plotë i Haradinajt:

Të dashur qytetarë,

Sot është shtuar numri i atyre që besojnë që Kurti dhe qeveria e tij janë fatkeqësi për Kosovën. Një shumicë kritike pajtohet se është e nevojshme që sa më parë të dilet nga kjo gjendje. Njëra parti kërkon zgjedhje për të ndalur këtë të keqe që po i bëhet vendit, ndërsa partia tjetër është në kërkim të një rruge të re, poashtu për të dalur nga kjo gjendje.

Ne si Aleancë kemi ofruar një model se si të dilet nga situata e krijuar, që është mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, si mjet mbase tashpërtash i vetmi, për ta ndalur degradimin e mëtejshëm që po i bëhet vendit.

Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo!

Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje?

A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu?

Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin.