Haradinaj: S’mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes sesa doracaku i edukatës seksuale
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër publikimin e doracakut të edukatës seksuale.Në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj tha se nuk ka, e as që mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes e vlerave kombëtare sesa ky doracak i edukatës seksuale, i hartuar nga Qeveria e Albin Kurtit.
“Pas dështimeve në rrafshin politik e diplomatik, në politikën e brendshme dhe të jashtme, pas izolimit ndërkombëtar të Kosovës dhe sanksioneve të vendosura mbi vendin, ai tashmë ka kthyer bateritë mbi familjen – themelin jo vetëm të shtetit, por edhe të traditës e qenies sonë,” tha Haradinaj.
Haradinaj nënvizoi se kjo përpjekje nuk do të kalojë, duke theksuar se në komunat e udhëhequra nga Aleanca, ai ka kërkuar që doracaku të hidhet poshtë, duke e quajtur atë “paçavure”.
“Familja jonë ka themele të lashta që nuk lëkunden kollaj, aq më pak nga ata që përditë e më shumë po identifikohen si antikombëtarë!” përfundoi ai.
Ndërkaq, pas debatit, Komunat e Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Skenderajt kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” në shkollat e tyre, duke argumentuar se përmbajtja e tyre është e papranueshme dhe e dëmshme për fëmijët.