Hasani: Marrëveshja e Washingtonit nuk ka nevojë për ratifikim në Kuvend

0

Marrëveshja e nënshkruar dje në Washington nga Kosova dhe Serbia nuk ka nevojë të ratifikohet në Kuvend, sipas ish-kreut të Gjykatës Kushtetuse, Enver Hasani.

Në një prononcim për KOHË-n, Hasani, e ka vlerësuar këtë marrëveshje si lëvizjen më të mirë gjeostrategjike të lidershipit kosovar, që nga Pavarësia.

“Besoj shumë që pas pavarësimit të Kosovës, kjo përbën lëvizjen më të duhur gjeostrategjike që ka luajtur lidershipi i Kosovës. Kjo është kështu për disa arsye. Në rend të parë, kjo marrëveshje ka zhbllokuar gjendjen e ngërçit të Kosovës kundrejt miqve dhe aleatëve të saj. E dyta, kjo marrëveshje e ka vënë në ekvidistancë të njëjtë Kosovën dhe Serbinë kundrejt SHBA-së dhe Evropës, duke ngushtuar kështu shumë hapësirën manovruese të Rusisë dhe Kinës në Serbi; kjo marrëveshje ka depolitizuar procesin e dialogut duke i larguar nga tavolina opsionet frikësuese për copëtim të Kosovës; dhe, së fundi, marrëveshja ka vënë Kosovën si shtet të barabartë në tregun evropian dhe më gjerë dhe ia ka dhënë asaj një aleat të fortë – Izraelin. Kjo sepse e ka lidh sigurinë e këtij vendi me sigurinë e Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë Hasani.

Hasani tutje ka shtuar se kjo marrëveshje është akt i njëanshëm juridik, me të cilën Kosova dhe Serbia kanë marrë zotime juridikisht të vlefshme kundrejt SHBA-së, Evropës dhe Izraelit.

“Kjo nuk ka nevojë të ratifikohet sepse dispozitat e saj janë zotime të njëanshme që nuk kanë natyrë të vetekzekutueshme ashtu që duhen akte e veprime të tjera përcjellëse për t’u operacionalizuar (zbatuar) në praktikë. Kur të nisë zbatimi konkret e pjesëve të saj mund të ketë nevojë për ratifikim të disa marrëveshjeve shtesë, siç janë ato që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e përbashkët të energjisë së lumit Ibër, investimet e përbashkëta në energji, rrugë dhe infrastrukturë, në çështjet kufitare dhe të tjera që implikojnë sovranitetin politik të vendit, të drejtat dhe liritë e njeriut, apo bartjen e disa aspekteve të sigurisë në akterë të tjerë të jashtëm”, thotë Hasani.

Ai ka shtuar se këto veprime, megjithatë, janë çështje për të ardhmen dhe nuk prishin punë sepse janë prerogativë e shteteve sovrane dhe nuk implikojnë humbje të sovranitetit apo territorit të vendit.

Hasani gjithashtu ka thënë se në materien e kësaj marrëveshje nuk sheh ndonjë pikë problematike për Kosovën, “përveç nëse vet palët krijojnë probleme”.

E efektet e kësaj marrëveshje sipas tij janë “integrimi dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *