Hasani: Qeveria s’po e përfill Kushtetutën, ka shkelje te Ligji për tatimin në pronë
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se ka shkelje kushtetuese në Ligjin për tatimin në pronë. Ai ka theksuar se përmes tij mund të ketë ndërhyrje në kompetencat komunale.“Në shikim të parë ka shkelje të Kushtetutës aty sepse pushteti lokal nuk është në vijë vertikale… Po (mund të ketë ndërhyrje), sepse edhe atëherë kur ato mund të kenë kompetenca të deleguara ka rregull që mbikëqyret ligjshmëria, por prapë pushteti qendror nuk e mbikëqyr kushtetutshmërinë e tyre. Ky rast, falja e borxhit dhe imponimi i një barre financiare në komuna, se kur vendos për ligj që i afekton komunat domosdo duhet me pasë konsultime dhe debat me ta, ky është rregulli themelor i një shoqërie demokratike”, ka thënë ai, në KTV.Hasani ka shtuar se mungesa e konsultimeve të Qeverisë me komunat mund të përdoret si argument se ligji përbën shkelje. “Si shkelje procedurale pa asnjë diskutim. Shkelja materiale që është jashtë çdo dyshimi e qartë, është ndërhyrja në të hyra, zvogëlimi në të hyra. Kur bëhet këto ligje duhet me pasë gjithmonë parasysh aspektin e kushtetutshmërisë”.Sipas Hasanit, Qeveria nuk po e ka parasysh aspektin e kushtetutshmërisë kur po punon për ligje.“Unë besoj që jo. Ligjet që kanë efekte më sistemike, se këtu eventualisht mund të synohet kontrolli i vetëqeverisjes lokale ose prishja e parametrave të planifikimit që i kanë ata, e zëmë, nesër-pasnesër i merr këto komuna me votë ajo kjo parti… por çështje të tjera që kanë të bëjnë me veting, me këshill prokurorial, aty është keq që janë ngutë sepse e kanë komprometuar idenë fisnike të vetingut”, ka deklaruar ai.Hasani ka theksuar se ka mungesë totale të përgjegjësisë së organit të akuzës, teksa ka pohuar se është një grup i njerëzve që punojnë për eliminime politike.“Sot kemi një këshill prokurorial dhe një organ të akuzës që 80-90% e akuzave serioze i rrëzohen dhe askush nuk jep përgjegjësi. Asnjë vend rreth Kosovës nuk do të mundte një prokuror të qëndronte në detyrë t’u rrëzoheshin 70% e akuzave të zyrtarëve të lartë apo të shtetit dhe me thënë, jo unë mendoj kështu, dhe me vazhdu. Mungesë të përgjegjësisë totale të organit të akuzës. Unë kam shkuar në gjyq prej të njëjtëve njerëz, është një grup aty të njerëzve tërësisht të papërgjegjshëm”.